Taravari- Bejta, ja çka thonë njëri për tjetrin

Maqedonia

Taravari- Bejta, ja çka thonë njëri për tjetrin

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 19:57
Taravari – Bejta

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët në Komunën e Gostivarit Arben Taravari theksoi se në raundin e dytë do të fitojë zgjedhjet në këtë komunë. Ai këtë e ka theksuar përmes një letre publike, ku është shprehur mirënjohës për ata që e votuan.

“Unë dhe ekipi im që mendojmë se Gostivari është i Pari jemi mirënjohës që patëm përkrahjen e jashtëzakonshme të Shqiptarëve, Turqëve, Maqedonasve dhe Romëve! Të gjithë këta njerëz nuk votuan nën urdhrat kërcënues të ndonjë partie, ata votuan në emër të dashurisë për Gostivarin!”, theksoi Taravari.

Sipas tij, 12 mijë votat për të janë 12 mijë personalitete, 12 mijë histori, 12 mijë firmëtarë që nënshkruan Orën e Re të Gostivarit!

“Tashmë prangat e diktaturës u hoqën, tashmë ju jeni të gjithë të lirë të thoni fjalën tuaj! Në raundin e dytë ne shkojmë Fitimtarë”, thuhet në letrën e Arben Taravarit, duke shprehur faleminderime për të gjithë ata që e ndihmuan.

Por ka folur edhe kandidati i BDI-së, Nevzat Bejta i cili ka thënë se do të shihet gjithçka në raundin e dytë.  “Procesi i djeshëm zgjedhor sipas meje ka qenë i qetë dhe demokratik. Unë jam në epërsi me vota kundrejt kandidatit tjetër por do të shkojmë në balotazh ku dihet se unë do të fitoj. Se kush do të më përkah do të shohim ditëve në vijim, do t’ju informojmë”, ka thënë për Portalb.mk, Bejta.

Përndryshe, në Gostivar në rrethin e dytë zgjedhor do të përballen kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim, Nevzat Bejta dhe atij të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Balotazhi i 29 tetorit vjen si rezultat i votimit të djeshëm të gostivarasve, të cilët në llogari të Bejtës vendosën 12.095 vota apo rreth 35.55%, kurse për Taravarin u numëruan 11.600 vota apo 34.10% e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat