Glover: Në zgjedhje pati përparim demokratik

Maqedonia

Glover: Në zgjedhje pati përparim demokratik

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 21:18
Audrej Glover

OSBE-ODIHR prezantoi raportin paraprak të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 15 tetor në Maqedoni.

Konstatimet e para janë se gjatë fushatës zgjedhore dhe ditës së votimit janë bërë shkelje të vogla, por që nuk kanë rezikuar procesin zgjedhor. Ambasadorja e OSBE-ODIHR-së Audrej Glover theksoi se zgjedhjet e të dielës dëshmuan një përparim demokratik të vendit.

"Edhe pse procesi akoma nuk ka përfunduar, në këto zgjedhje u pa përparimi demokratik i këtij vendi dhe u rrit besimi i votuesve në procesin zgjedhor. Shpresojmë se do të vazhdojë edhe në rrethin e dytë" deklaroi Audrej Glover, Ambasadore e OSBE-ODIHR-së në Maqedoni.

Nga ana tjetër shefi i Delegacionit të Kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Evropës, Karim Van Overmeire ka vlerësuar se zgjedhjet e 15 tetorit plotësojnë standardet ndërkombëtare, por gjithnjë duke pasur hapësirë përmirësimi.

"Në përgjithësi, zgjedhjet e djeshme lokale ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare, dhe ne shpresojmë se kjo do të jetë kontribut për zhvillimin e mëtutjeshëm të qëndrueshëm në nivel lokal, me qëllim që të përmirësohem kushtet për jetesë për të gjithë qytetarët e këtij vendi" – tha Karim Van Overmeire, Kryetar i “The Congress” pran KE-së.

As Glover dhe as Van Overmeire nuk deshën të komentojnë akuzat e opozitës për parregullsi zgjedhore. Qëndrimi i tyre i përbashkët ishte se të gjitha ankesat do të merren parasysh, përfshi edhe ato të opozitës. Raporti për procesin zgjedhorë do të plotësohet ditëve në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat