Shqetësuese dalja e ulët e votueseve shqiptarë, ja çfarë tregon kjo

Maqedonia

Shqetësuese dalja e ulët e votueseve shqiptarë, ja çfarë tregon kjo

Nga: Naile Ejupi Më: 16 tetor 2017 Në ora: 22:34
Votimi ne Maqedoni

Maqedonia të dielën ka mbajtur zgjedhjet për kryetarë të komunave. Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Çiçakovski sot në konferencë për shtyp, ku doli t’i prezentojë rezultatet e zgjedhjeve të djeshme, tha se janë shumë të kënaqur se zgjedhjet kanë qenë demokratike dhe korrekte.

Çiçakovski tha se rezultatet përfundimtare do të shpallen deri neser ora 19, 48 orë pas mbylljes së vendvotimeve.

Ai për procesin zgjedhor tha se shteti i Maqedonisë ka pasur zgjedhje demokratike dhe korrekte. Ai njoftoi palët garuese se mund të parashtrojnë ankesa për procesin e votimit dhe se mund të vendoset për ankesat e tyre nga Gjykata Administrative e Maqedonisë.

”Gjithçka ka qenë sipas ligjit dhe kërkesave për zgjedhje korrekte dhe demokratike” përfundoi Çiçakovski.

Në zgjedhjet e 15 tetorit, LSDM-ja në rrethin e parë fitoi 37 vende të kryetarëve të komunave, VMRO-DPMNE-ja tre, BDI-ja dy, grup i zgjedhësve dy dhe Partia Demokratike e Turqve një.

Në komunat shqiptare, dalja e votuesve ka qenë dukshëm më e ultë.

Në komunën e Tetovës dalja e votuesve është 19 për qind, në Çair të Shkupit, 22 për qind si dhe atë të Likovës vetëm 15 për qind – komuna këto kur dalja në votime ishte dukshëm më e lartë në periudhën e njëjtë kohore gjatë zgjedhjeve lokale të mbajtura në vitin 2013.

Analistët politikë e shohin shqetësuese daljen e ultë të votuesve shqiptarë. Sipas tyre, kjo gjë tregon se partitë nuk kanë arritur t’i bindin votuesit.

“Është për t’u përshëndetur se zgjedhjet kanë kaluar pa ndonjë incident të madh që do ta kishte dëmtuar procesin zgjedhor. Por, shqetësuese është se në vendbanimet shqiptare dalja e votuesve është shumë më e ulët se në ato vendbanime maqedonase. Në momentin e votimit, së paku për pak minuta, të gjithë jemi sovranë dhe këtë të drejtë domosdo të shfrytëzohet, nuk duhet të humbet. Por, kjo tregon se partitë gjatë fushatës nuk kanë mundur t’i bindin votuesit, në fakt nuk kanë arritur të ia fitojnë besimin. Kjo vjen nga fakti që gjatë fushatës kishim premtime stratosferike, që për votuesin ishin fantazi shkencore”, ka thënë analisti politik, Xhenur Iseni për “Bota sot”.

Në zgjedhjet lokale të 15 tetorit, partia e Nikolla Gruevskit ka pësuar rënie, duke mbetur kështu pas LSDM-së e cila ka marrë shumicën e komunave.

Kryeqyteti maqedonas, Shkupi, do të udhëhiqet pikërisht nga LSDM-ja.

Petre Shilegov nga LSDM-ja është kryetar i ri i qytetit të Shkupit. Sipas rezultateve nga 100 për qind të të dhënave të përpunuara nga vendvotimet, të cilat Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i publikoi sonte në ueb faqen e vet, Shilegov në zgjedhjet e së dielës fitoi 141.119 vota, respektivisht 50,32 për qind dhe e fitoi funksionin e kryetarit të qytetit që në rrethin e parë të zgjedhjeve.

Kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe kryetari i deritanishëm Koce Trajanovski fitoi 101.464 vota, respektivisht 36,18 për qind.

Sipas analistit Iseni, partia e Gruevskit ka mbetur në histori, kurse shqiptarët kanë qenë ata të cilët kanë bërë që Shilegov të bëhej kryetar i Shkupit.

Image
Xhenur Iseni

“Sa i përket partive maqedonase VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski e morën grushtin e dytë nga shqiptarët dhe tanimë kjo parti është në histori. Te shqiptarët ende ishte prezente klima anti-VMRO dhe si shkak të kësaj shqiptarët në komunat multietnike kanë votuar LSDM-në, përfshirë edhe qytetin e Shkupit, pa votat e shqiptarëve në Shkup, Shilegov asnjëherë s’do mundej të bëhet kryetar i qytetit të Shkupit”, ka pohuar Iseni.

Pas rrethit të parë të zgjedhjeve lokale në 45 komuna janë zgjedhur kryetarë të komunave, ndërsa në 35 do të ketë rreth të dytë për dy javë, respektivisht më 29 tetor.

Në rrethin e parë janë zgjedhur kryetar të komunave në Aerodrom, Haraçinë, Manastir, Berovë, Bogdanci, Bosilovë, Vallandovë, Vasilevë, Vevçan, Veles, Gjevgjeli, Gjorçe Petrov, Dellçevë, Demir Hisar, Dojran, Zelenikovë, Ilinden, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçani, Kratovë, Kriva Pallankë, Krivagashtan, Krushevë, Kumanovë, Llozovë, Mavrovë – Rostushe, Negotinë, Novosellë, Ohër, Petrovec, Pehçevë, Plasnicë, Prilep, Radovish, Rankovc, Resnjë, Sveti Nikollë, Sopishtë, Strumicë, Qendër, Qendra Zhupa, Çuçer Sandevë dhe Debarcë.

Rreth të dytë do të ketë në Tetovë, Çair, Bogovinjë, Strugë, Bërvenicë, Studeniçan, Tearcë, Butel, Vinicë, Vrapçishtë, Gazi Babë, Gotivar, Gradsko, Dibër, Demir Kapi, Probishtip, Rosoman, Dollnen, Zhelinë, Zërnovci, Jegunovce, Kavadar, Karbinci, Kisella Vodë, Likovë, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Mogillë, Novaci, Saraj, Nagoriçan i Vjetër, Çashkë, Çeshinovë – Obleshevë, Shtip dhe Shuto Orizarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat