Fazliu: Maqedonia do ta shfrytëzojë çdo mundësi në procesin e integrimit në BE

Maqedonia

Fazliu: Maqedonia do ta shfrytëzojë çdo mundësi në procesin e integrimit në BE

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 22:31
Suhejl Fazliu

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu në Forumin rajonal për bashkëpunim tejkufitar, që po mbahet në Strugë, realizoi takim me drejtorin e repartit për zhvillim rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor në programin me shumë qëllime dhe drejtor i përgjithshëm për politikë fqinjësore të BE-së, Colin Wolfe.

Fazliu, siç kumtoi Kabineti i tij, në takim e ka theksuar gatishmërinë e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale për përkushtim maksimal të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian nga aspekti i zbatimi të politikave të Ministrisë.

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, siç ka theksuar Fazliu, me përkushtim punon në avancimin e procesit të decentralizimit në përmirësimin të funksionimit të komunave, proces që është i mbështetur edhe me projektin e BE-së në vlerë prej 2,3 milionë.

Ai ka shfaqur bindje se bashkëpunimi tejkufitar në periudhën e dytë të programit IPA do të rezultojë edhe me një numër më të madh të projekteve cilësore dhe me gatishmëri për thithjen e mjeteve të disponueshme të Bashkimit Evropian.

“Bashkëpunimi tejkufitar është segment i rëndësishëm në politikën rajonale të Bashkimit Evropian përmes së cilës vendet e rajonit bashkëpunojnë për përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale punon dhe do të bashkëpunojë me fqinjët e saj dhe me BE-në në realizimin e këtij qëllimi”, ka theksuar Fazliu.

Në takim, ministri Fazliu ka kërkuar mbështetje teknike për Ministrinë në procesin e decentralizimit të komponentës për bashkëpunim tejkufitar, ku drejtori Wolfe ka treguar gatishmëri për ndihmë në përforcimin e kapaciteteve të Ministrisë në procesin e akreditimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat