KSHZ shqyrton ankesat për raundin e parë të zgjedhjeve lokale

Maqedonia

KSHZ shqyrton ankesat për raundin e parë të zgjedhjeve lokale

Më: 19 tetor 2017 Në ora: 19:42
KSHZ

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancën e sotme ka vendosur për ankesat e paraqitësve të listave të kandidatëve lidhur me votimin në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Në afatin e paraparë janë parashtruar 46 ankesa, prej të cilave 43 ankesa janë nga VMRO-DPMNE, ndërsa nga një nga Aleanca për Shqiptarët, Levica-E Majta dhe TMRO.

Nevenka Stamenskovska nga VMRO-DPMNE-ja opozitare në fillim të fjalimit të saj akuzoi për një varg parregullsish nga ana e këshillave zgjedhor, duke e parashtruar ankesën e parë që ka të bëjë me votimin në Prilep.

“Nga këshilli zgjedhor për vendvotimin 1356 dhe 1416 në komunën e Prilepit, për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Prilepit dhe anëtarëve të komunës së Prilepit, nuk kanë nënshkruar anëtarët e këshillit zgjedhor, konkretisht kryetari dhe anëtarët e këshillit zgjedhor”, theksoi Stamenskovska.

Pas ankesës së parashtruar, vijoi polemika nga ana e anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. “Këshilli zgjedhor është i obliguar të japë kopje identike me origjinalin e përfaqësuesve të autorizuar të partive politike, vetëm me një arsye, që kopjet që jepen partive politike të jenë ndryshe nga origjinali”, tha Silvana Boneva.

"Nuk qëndron mendimi se partitë politike kanë marrë ndonjë procesverbal tjetër, dhe për këtë shkak është parashtruar kjo ankesë”, theksoi Violeta Duma.

“Për aq sa pash unë në origjinal, gjithçka është nënshkruar sipas procedurës që duhet në bazë të nenit 117 dhe mendoj se nuk ka bazë për ankesë”, tha Subhi Jakupi.

Deri tani Komisioni Shtetëror Zgjedhor refuzoi dy ankesa për pezullim të votimit në dy vendvotime në Prilep dhe një ankesë për komunën e Gjorçe Petrovit.

Para fillimit të seancës partia opozitare tërhoqi tre ankesa që ndërlidheshin me votimin dhe përmbledhjen e rezultateve në Shkup dhe Prilep.

KSHZ është e obliguar që të vendos për ankesat e kandidatëve në procedurën për votim, përmbledhjen dhe vërtetimin e rezultateve të votimit, në afat prej 48 orëve pas pranimit, ndërsa kundër votimit të KSHZ-së mund të parashtrohet padi deri te Gjykata Administrative, në afat prej 24 orëve pas pranimit të vendimit.

Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë më pas, pas pranimit të ankesës është e obliguar që të marrë vendim në afat prej 48 orëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat