Universiteti i Tetovës mori pjesë në Garat ndërkombëtare për badibillding në Hungari

Maqedonia

Universiteti i Tetovës mori pjesë në Garat ndërkombëtare për badibillding në Hungari

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 17:25
Studentët dhe profesorët e Fakultetit të Kulturës Fizike

Studentët dhe profesorët e Fakultetit të Kulturës Fizike morën pjesë në garat ndërkombëtare në badibillding dhe fitnes, që u mbajtën me 13-16 tetor, në qytetin e Budapestit në Hungari. Ky kompeticion ishte i 15-ti me radhë, njëherit edhe jubilar që organizohet nga Federata evropiane e badibilldingut dhe fitnesit (EBPF).

Në këtë kampionat, siç njoftojnë nga zyra për informim i Universitetit të Tetovës, ekipi ynë përfaqësohej me katër anëtarë, tre garuesit, Ridvan Bilalli, Labinot Aliti, Vaxhid Maliqi dhe trajneri i tyre Astrit Iseni, njëherit edhe profesor në Fakultetin e Kulturës Fizike në UT. Të tre garuesit në këtë eveniment të rëndësishëm dhe me peshë të madhe sa i përket botës së fitnesit, morën pjesë për herë të parë, duke u radhitur në mesin e pesë më të mirëve. Labinot Aliti mori pjesë në kategorinë e badibillding junior dhe zuri vendin e pestë. Ndërsa Ridvan Bilalli dhe Vaxhit Maliqi morën pjesë në kategorinë e fitnesit, ku ky konkurrim kishte karakter botëror dhe ata arritën që të dy të futen në top pesëshin dhe të marrin vendin e pestë.

Trajneri, Doc. Dr. Astrit Iseni tha se për këtë event është dashur një përgatitje e gjatë. “Do të thotë një mezocikël, më konkretisht u nevojitën 4 muaj stërvitje, me një plan-program të hartuar bukur mirë, ku djemtë kaluan në stërvitje dy herë brenda ditës, në mëngjes dhe ushtrimet themelore në mbrëmje, dietë strikte e përllogaritur saktësisht, varësisht qëllimit dhe përmasave të cilat i posedon atleti, dhe normalisht përcjellje edhe nga mjekët profesional. Gjithçka ka rrjedhur në formën më të mirë dhe me të vërtetë kemi bartur emocione të pa përshkruara gjatë këtij kompeticioni, gjithashtu nuk ka munguar edhe përkrahja morale dhe materiale nga dashamirët e sportit, ndër to si institucion i vetëm shtetëror në Maqedoni, me vite të tëra na jep mbështetje financiare Universiteti i Tetovës në krye me Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili nuk ka hezituar që ta përkrahë këtë projekt shumë të rëndësishëm sa i përket ngritjes së vlerave shoqërore”, tha Doc. Dr. Astrit Iseni.

Ai, po ashtu tha se të gjithë garuesit profesionistë duhet të bartin përvoja dhe refleksione shumë pozitive, ku të njëjtat në një të ardhme të shpejtë do t’i bartin tek brezi i ri, në vendin ku do të veprojnë dhe të përfaqësojnë institucionet dhe vendin tonë denjësisht në gara të tilla ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat