Maqedoni, diaspora sjell pesë herë më shumë para sesa investitorët

Maqedonia

Maqedoni, diaspora sjell pesë herë më shumë para sesa investitorët

Më: 25 tetor 2017 Në ora: 09:02
Ilustrim

Në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, mjetet që hyjnë në emër të remitancave janë shumë më të mëdha se mjetet që hyjnë në emër të investimeve të huaja, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2015, remitancat në Maqedoni të dërguara në mënyrë zyrtare paraqesin 2.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo afër 300 milionë euro, ndërsa nga ana tjetër janë realizuar investime të huaja në vlerë prej 215 milionë euro. Nëse këtu i llogarisim edhe disa qindra milionë euro të remitancave që hyjnë përmes kanaleve joformale, atëherë llogaritet se prej 500 milionë euro deri në një miliardë euro, është shuma e të hollave që mërgimtarët dërgojnë në vendlindje që si shumë është pesë herë më e madhe se niveli i investimeve të huaja.

Në Maqedoni një pjese e madhe e vendbanimeve në të vërtetë jetojnë nga të hollat që pranojnë nga familjarët e tyre jashtë shtetit. Një pjesë e konsiderueshme e familjeve në vend vështirë se mund ta mbijetojnë muajin pa ndihmën financiare të mërgimtarëve. Remitancat apo dërgesat e mërgimtarëve jo vetëm në Maqedoni, por edhe në shtetet e rajonit, në të vërtetë mundësojnë që si shoqëri të harxhojmë më shumë se sa prodhojmë, duke ruajtur paqen sociale dhe zbutur me të madhe edhe shkallën reale të varfërisë. Njëherazi, analizat e ndryshme tregojnë se remitancat kryesisht përdoren për konsumin mujor si pagesa e ushqimit dhe komunalive dhe në përqindje shumë të vogël shfrytëzohen për investime të ndryshme.

Njohësit e rrethanave financiare në Maqedoni, thonë se po të grumbullohet shuma prej 300 milionë euro së bashku me mjetet që këmbehen në këmbimore, atëherë kjo shumë është shumë më e lartë. Në vitin 2015 ka qenë 1.5 miliardë euro. Megjithatë, nëse merret parasysh se në të hollat që këmbehen në këmbimore hyjnë edhe mjetet që nxirren nga jastëku, mjetet e kompanive private, donacionet e ndryshme nga jashtë e kështu me radhë, atëherë si një shumë që është mesatare dhe e përafërt me realitetin, mund të merret ajo që shuma që mërgimtarët dërgojnë në shtet, është së paku dhjetë për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto apo afër 900 milionë euro. Ekonomistët vlerësojnë se është koha e fundit që Maqedonia t’i kushtojë vëmendje më të madhe mërgimtarëve që dërgojnë shumë të mëdha të hollash për çdo vit në vendlindjen e tyre, pa kërkuar asnjë shërbim për këtë ndihmë të madhe që i japin ekonomisë së shtetit që paraqet injeksion financiar për stabilitetin ekonomik, politik dhe makroekonomik të vendit.

Sipas analistit ekonomik, Arben Halili, në Maqedoni ekziston nevoja e patjetërsueshme e përgatitje të një sistemi adekuat që do të identifikojë shumë që në emër të remitancave hyn për çdo vit në shtet si dhe ridedikimit të një pjese të tyre në investime për biznese të vogla familjare, në vend për konsum apo mbulimin e nevojave mujore të familjare.

Në ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2015, në Kosovë remitancat paraqesin 11 për qind të PBB-së. Me fjalë të tjera në Kosovë hyjnë 971 milionë euro remitanca, ndërsa janë realizuar tre herë më pak apo 343 milionë euro investime. Në Bosnjë e Hercegovinë niveli i investimeve të huaja është 293 milionë euro që është gjashtë herë më pak në raport me 1.8 miliardë euro të remitancave.

Shpërngulja masovike e popullatës nga rajoni i Evropës Juglindore në Evropën Perëndimore nga njëra anë ndihmon rritjen ekonomike të shteteve perëndimore, ndërsa nga ana tjetër pengon përmirësimin e mirëqenies në shtetet e rajonit. Të dhënat të përafërta të Bankës Botërore tregojnë se nga shtetet e Evropës lindore, qendrore dhe juglindore janë shpërngulur mbi 20 milionë njerëz. Nga ana tjetër, të dhënat po nga ky burim, tregojnë se jashtë Maqedonisë jetojnë afër një të tretat e banorëve të saj. Sipas raportit të Bankës Botërore lidhur me efektet e shpërnguljes ndaj ekonomisë, del se efektet pozitive për shtetet më të zhvilluara ekonomike janë më së evidente, ndërsa vendet më pak të zhvilluara humbin potencialin e madh për rritje më të madhe ekonomike.

Edhe pse demografët përllogarisin se shkaqet kryesore të migrimeve të jashtme janë ato ekonomike, arsimore, përsosja profesionale, krizat politike dhe ushtarake, përleshjet fetare e kështu me radhë, megjithatë në Maqedoni dhe shtetet e rajonit në vitet e fundit, në radhë të parë, si shkak i ikjes së të rinjve të shkolluar është pakënaqësia nga situata ekonomike, problemi me punësimin si dhe mungesa e perspektivës. Gjithashtu edhe mungesa e një ambienti me rregulla të qarta të lojës në më shumë fusha të jetesës në Maqedoni, por edhe shtetet fqinje rrisin dëshirën e të rinjve që të marrin biletën në një drejtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat