Taravari zëvendëson Selën në krye të Aleancës?!

Maqedonia

Taravari zëvendëson Selën në krye të Aleancës?!

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 11:28
Arben Taravari dhe Ziadin Sela

Përveç rikonstruimit qeveritar, duket se do të rikonstruohet edhe ASHe Ziadin Selës. Sekretari i përgjithshëm i partisë, Arben Taravari, fitues në Komunën e Gostivarit, ka nis tashmë fushatën për zëvendësimin e Selës, konkretisht për ta marrë drejtimin e partisë pas humbjes së Selës nga Ramiz Merko në Strugë.

Të hënën, para gazetarëve, Taravari në fakt u soll si lider partie dhe jo si i dyti i ASH-së. Në vend se të flasë për komunën që ai do të drejtojë katër vitet e ardhshme, Taravari më shumë foli për Qeverinë dhe politikat qeveritare, ndërsa ndryshe nga paralajmërimet e Selës, ai tha se ASH nuk dëshiron të dalë nga Qeveria.

Madje, herë e akuzonte Zaevin se mbështeti BDI-në, e herë tha se do të flase më kryeministrin për dyshimet që ASH ka për procesin zgjedhor.

“Tani për tani nuk dalim nga Qeveria. Pasojnë analiza në kryesinë e partisë dhe të shohim se nëse ka pasur keqpërdorime gjatë procesit zgjedhor, për shkak se ekzistojnë dyshime. Do të bisedojmë edhe me kryeministrin. Konsideroj se është skandaloze, që kryeministri, ministri i Punëve të Brendshme të jenë të angazhuar dhe të punojnë në dobi të BDI-së. Kjo është e palejueshme edhe me rekomandimet e Pribesë. Megjithatë, dita e djeshme ishte përplot me një sërë parregullsi, ryshfete, presione dhe frikësime. Më vjen keq që edhe ministri Spasovski personalisht ka kryer presion. Më vjen keq edhe që një Qeveri qëndron pas partisë e cila ka një të kaluar të keqe”, tha Taravari.

Kryetari i ri i Gostivarit në këtë paraqitje para gazetarëve, ndryshe nga lideri i tij, Ziadin Sela, nuk kërkoi zgjedhje të parakohshme, por se siguroi se resori i Shëndetësisë edhe më tej t’i mbetet Aleancës për Shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat