Komunikata e UÇK-së: MPB-ja heton, Shoqatat e luftës s’janë në dijeni

Maqedonia

Komunikata e UÇK-së: MPB-ja heton, Shoqatat e luftës s’janë në dijeni

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 15:17
UÇK

MPB-ja po heton se kush qëndron prapa të ashtuquajturës “komunikatë” numër 6 të UÇK-së, me të cilën shqiptarëve u është bërë ultimatum që deri nesër në mesnatë t’i lënë të gjitha institucionet shtetërore në të cilat punojnë, për shkak të aktgjykimit për rastin “Lagja e Trimave”. Por, nga policia pohojnë se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile.

Lidhur me atë se kush qëndron prapa ultimatumit të UÇK-së, nuk janë në dijeni as krerët e SHVL-UÇK-së dhe të OVL-UÇK-së, Fazliu Veliu dhe Besim Hoda.
Komunikata ka ardhur dje pasdite përmes postës elektronike në redaksitë e disa mediave shqipe. “Menjëherë pas publikimit të kësaj komunikate, Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë Publike kompetente ndërmori masa përkatëse lidhur me ‘informatën’ në fjalë dhe aktivitetet po zhvillohen në atë drejtim. Njëkohësisht, MPB-ja thekson se në vazhdimësi ndiqen të gjitha rreziqet eventuale ndaj sigurisë, megjithatë për momentin nuk ka shantazhe serioze për gjendjen e sigurisë, lidhur edhe me ‘komunikatën’ në fjalë edhe përmbajtjen e saj. Sipas analizave dhe njohurive aktuale të MPB-së, gjendja e sigurisë në Republikën e Maqedonisë është e qetë dhe stabile”, thonë për POST.mk, nga MPB-ja. As Veliu nuk ka njohuri nëse ka informata për atë se kush do të mundte t’i dërgojë opinionit një ultimatum me vulën e UÇK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat