Avokati i Grujevskit paralajmëroi padi ndaj aktvendimit të gjykatës

Maqedonia

Avokati i Grujevskit paralajmëroi padi ndaj aktvendimit të gjykatës

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 20:38
Goran Grujevski

Avokati i Goran Grujevskit, Ljupço Shvërgovski, pas kumtimit të aktvendimit për lëndën “Fortesa 2” tha se kanë pritur aktvendim lirues, sepse nuk mund të ekzistojë përgjegjësi penale nëse mungon elementi thelbësor i veprës penale. Ai paralajmëroi padi ndaj aktvendimit.

“Nuk mund të ekzistojë përgjegjësi penale nëse mungon elementi thelbësor i veprës penale”, tha Shvërgovski dhe shtoi se pa atë nuk ka përgjegjësi për askënd.

Shvërgovski përsëriti se para Gjykatës kanë bërë distinksion të qartë mes teksteve të Ligjit ekzistues penal dhe të atij që ka vlejtur para ndryshimit ligjor. Kjo, siç shtoi, ka të bëjë me një fjali e cila në rregulloren e vjetër ka ekzistuar.

“Bëhet fjalë për atë si vepra penale të sanksionohet edhe sjellja e të akuzuarit, i cili do të shkatërrojë dokumente zyrtare, libra apo akte. Ajo pjesë nuk ekziston në Kodin penal”, tha Shvërgovski.

Prokurorja nga Prokuroria Speciale Publike, Lençe Ristoska pas publikimit të aktvendimnit të parë për akuzat që i ngriti PSP para Gjykatës penale, tha se aktvendimi i burgut prej 18 muajve për ish-shefin e DSK-së, Goran Grujevski, ishte në suaza të pritjeve të tyre.

“Shprehim kënaqësi që së paku për këtë lëndë drejtësia doli në shesh dhe presim trendi i tillë të vazhdojë edhe në rastet e tjera për të cilat PSP ka parashtruar aktakuza”, tha Ristoska dhe shtoi se me atë që Gjykata i shpalli fajtorë edhe gjashtë nëpunëset e punësuara në DSK, është dërguar porosi se nëpunëset të cilat kryejnë urdhëra nuk guxojnë të amnistohen.

I akuzuari i parë në këtë rast, Goran Grujevski është dënuar në 18 muaj dënim me burg për shkatërrim të dëshmive për përgjimin, përderisa gjashtë të punësuarit e tjerë në DSK të akuzuar në rastin “Fortesa 2” morën dënime me kusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat