Konkurse shtesë për plotësimin e nevojës për prokurorë në Prokurorinë publike të Maqedonisë

Maqedonia

Konkurse shtesë për plotësimin e nevojës për prokurorë në Prokurorinë publike të Maqedonisë

Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 14:16
Ilustrim

Këshilli i Prokurorëve Publik do të përsërisë konkursin për Prokurorë Publik deri në plotësimin e organit të ndjekjes penale me 16 vendet vakante. Sipas Këshillit, konkursi nuk do të anulohet por do të pranohen ato kuadrot që përmbushin kriteret ndërsa vendet tjera do të plotësohen me konkurse shtesë deri në arritjen e numri të nevojshëm nëpër prokuroritë e vendit.

“Aty ku Këshilli vlerëson se duhet plotësuar do të emërohen prokurorë në bazë të kandidaturave të deritanishme, ndërsa në vendet tjera nëse nuk ka kandidat adekuat, do të përsëritet konkursi”, thuhet në kumtesën e Këshillit.

Në konkursin e fundit të shpallur nga ana e Këshillit të Prokurorëve Publik, përveç Kryeprokurorit, nëpër Prokuroritë Themelore dhe të Larta në nivel republikan mungojnë 16 prokurorë. Nga një prokurorë nevojitet në Prokuroritë e Larta Publike në Gostivar dhe Manastir dhe dy prokurorë në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup. Prokurorë kërkohen edhe nëpër Prokuroritë Themelore të Shkupit, Tetovës, Manastirit dhe Radovishit. Në Prokurorinë Themelore të Shkupit, Departamenti për krim të organizuar dhe korrupsion ka nevojë për 8 prokurorë të rinj. Kjo mungesë e Prokurorëve sipas ekspertëve pengon zbatimin e reformave në sistemin gjyqësor.

“Nuk mund të ndiqet krimi nëse nuk kemi prokurorë. Prandaj mendoj se kjo shtyrje nuk duhet të ndodh dhe edhe pse ka ndodhur duhet të përfundoj sa më shpejt konkursi pasi që nuk luftohet dot krimi nëse nuk janë autorët kryesorë në këtë luftë. Besoni se jemi te etur për të parë drejtësi nga veprat e kriminalitetit klasik dhe jo vetëm për ato që ndiqen nga PSP. Duhet të zgjidhen sa më parë ata Prokurorë të cilët do të vihen në krye të detyrës dhe jo në krye të shërbimeve dhe interesave të caktuara”, tha Arta Bilalli, juriste.

Konkursi i shpallur nga Këshilli i Prokurorëve Publik që nga 19 prilli, u zvarrit për shkak të zhvillimeve politike në vend. Mes partive politike aso kohe ishin shkëmbyer akuza rreth kushtetutshmërisë së konkursit për shkak të mos përfundimit të procesit zgjedhor. Për të njëjtën arsye ishte anuluar edhe konkursi paraprak.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat