Nxënësit kërkojnë transport falas në komunën e Likovës

Maqedonia

Nxënësit kërkojnë transport falas në komunën e Likovës

Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 17:08
Ilustrim

Nxënësit e shkollës së mesme të fshatrave Vaksincë dhe Llojan, transportin deri në Kumanovë e paguajnë vetë  dhe jo komuna, edhe krahas asaj që shkollimi i mesëm është i obligueshëm, raporton SHENJA.

Prindërit thonë se nuk pajtohen me këtë fakt, pasi në këtë mënyrë ata e ndjejnë veten të diskriminuar, duke pasur parasysh që me të njëjtin problem nuk përballen edhe nxënësit e fshatrave tjerë të komunës së Likovës. Ata thonë se disa herë kanë mbajtur protesata dhe kanë kërkuar nga Komuna e Likovës dhe Kumanovës që të gjendet një zgjidhje.

 “Faktikisht ligji i diskriminon këto nxënës të fshatit Llojan dhe Vaksincë…Sa i përket konvenimit kjo nuk ju konvenon sepse ka nxënës në këto fshatra që mbahet me ndihmë sociale dhe nuk kanë mjaft para për të bërë pagesën, dikush ka dy nxënës, dikush ka një”, deklaroi Ismet Rrustemi, prind.

 “Deri tash kanë pasur nxënësit tri ditë protesta, tash kemi marrë masa ne prindit, do t’i informojmë kryetarët e dy komunave, komunës së Kumanovës dhe Likovës, do shkojmë tek Ministria e Arsimit, të shofim se ku është problemi”, tha Bedri Kasumi, prind.

Ndërsa pronari i ndërmarrjes transportuese që i bart nxënësit, Murtezan Idrizi sqaron se ai për 10 vite i ka bartur ata pa pagesë pasi asnjëherë komuna nuk ka shprehur gatishmëri për të mbuluar këto shpenzime, mirëpo tani,  thotë ai numri i nxënësve është shtuar dhe se çdo ditë duhet nga dy autobus që ti bartin ato deri në Kumanovë, gjë që sipas tij është shumë e kushtueshme, prandaj kanë vendosur që të kërkojnë para prej nxënësve.

“Ne tash e 10 vite, gjimnazin, nxënësit të cilët janë të regjistruar në gjimnaz, nuk është numër i vogël, janë 100 nxënës…ne i kemi bartur pa pagesë sepse janë nxënës edhe pse ligjërisht nuk guxojmë t’i bartim pa para…Këtë vit më u bënë 100 nxënës, t’i bartim ne çdo ditë nga 100 nxënës falas edhe ne duhet të jetojmë. Këto kanë regjistrim, kanë mirëmbajtje, këto në fund të fundit i kemi blerë për të fituar, jo për të humbur”, deklaroi Murtezan Idrizi, pronar i Nota-Mi.

Kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Llojan Selami Memeti thotë se është i njoftuar me këtë problem dhe premtoi se do të angazhohet që së bashku me kryetarin e komunës së Likovës, ta gjejnë një zgjidhje.

“Këtë vit është shfaqur ky problem sepse viteve tjera nuk e kemi pasur këtë problem..Këtë çështje do ta zgjedhim me kryetarin e komunës, do shkojmë do bisedojmë se çfarë është puna me këto nxënës, se prindët nuk kanë kaq para për të paguar për fëmijët e tyre”, u shpreh Memeti, kryetar i bashkësisë lokale.

Komuna e Likovës mohon që problemi të jetë tek ata pasi siç thonë nga kjo komunë pagesa nga vetë prindët për transportin deri në Kumanovë është për shkak se këto nxënës shkollën e mesme e kanë në komunë të tyre, ndërsa ata nuk shkojnë atje por kërkojnë që të mësojnë në Kumanovë.

“Sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit, nxënësit duhet të regjistrohen në vendin më të afërt, kështu që ne pasi e kemi gjimnazin në komunën e Likovës, ne paguajmë shpenzime vetëm për nxënësit që mësojnë në komunë të Likovës. Ndërsa nxënësit të cilët me vetëdëshirë nuk duan të regjistrohen në komunë të Likovës por regjistrohen në Kumanovë, atëherë ata shpenzime duhet t’i paguaj komuna e Kumanovës”, thanë nga komuna e Likovës.

Ata më tej shtojnë se ky problem ka të bëjë vetëm me nxënësit që mësojnë më gjimnaz dhe jo edhe nëpër drejtimet e tjera. Ndërkaq, prindët thonë se arsyeja pse nxënësit duan që të regjistrohen në Kumanovë dhe jo në Likovë është se ata duan socializim, gjë që nuk ua mundëson fshati Likovë pasi siç thonë ata nuk ndryshon asgjë nga këto dy fshatra, prandaj duan që femijët e tyre të regjistrohen në qytetin e Kumanovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat