Kur Shkupi investon 100 herë më pak mjete se Prishtina

Maqedonia

Kur Shkupi investon 100 herë më pak mjete se Prishtina

Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 21:03
Abdylmenaf Bexheti

Për akademikun Abdylmenaf Bexheti, Buxheti 2018 në parim është më zhvillimor krahasuar me gjithë buxhetet paraprake që nga viti 2009 e këndej, mirëpo nëse do të krahasohet me strukturën e vet statike, thotë Bexheti, sigurisht që shumë më shumë është social sesa zhvillimor.

“Sepse, rreth 2/3 e krejt Buxhetit është për komponentën sociale – nga fondet sociale, përmes programeve mbrojtjes sociale dhe deri te ato të stimulimeve sociale për punësim e të ngjashme”.

Sa u përket investimeve kapitale, akademiku Bexheti thotë për gazetën KOHA se nuk është kontestuese shuma prej 400 milionë euro, por shkalla e realizimit tyre dhe struktura e projekteve.

“Nomenklatura kapitale nuk nënkupton domosdo shpenzime produktive, posaçërisht jo nëse ato importohen si parku i vozitjes, mobilimet, teknologjitë informatike… Bile edhe në strukturën e projekteve të infrastrukturës ekonomike, si për shembull, pjesë të hekurudhës së pambaruar edhe për një çerek shekulli dhe akoma shpenzohen mjete joefektive. Prej vitit 1992 shpenzohen nga 10-15 apo 20 milionë euro në vit për hekurudhën Belakovce-Republika e Bullgarisë dhe më kot. Për strukturën e projekteve shqiptare duhet të pyeten qeveritarët ata që me ‘gojën plot’ premtojnë dhe asgjë nuk realizohet. Si duket, edhe qytetarët janë mësuar dhe janë bërë imun, andaj gënjeshtrat dhe trillimet e tyre edhe nuk u bëjnë përshtypje.

Një rrugë 13-15 km nga qarkorja deri te Bllaca, që është më e frekuentuara në vend, tash e sa vite po e ‘projektojnë’ e assesi ta realizojnë! Bile do ta rekonstruktojnë në format të rrugës regjionale, me vetëm rreth 3 milionë euro dhe jo autostradë e që të jetë komplementare me autostradën Prishtinë-Hani i Elezit. Përderisa Kosova investon mbi 300 milionë euro, këta tanë investojnë 100 herë më pak”, thotë akademiku Abdylmenaf Bexheti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat