Maqedoni, ndryshime edhe në administratën shtetërore

Maqedonia

Maqedoni, ndryshime edhe në administratën shtetërore

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 15:18
Ilustrim

Ndryshimet në Ligjin që rregullon punën e administratës shtetërore në Maqedoni, pritet të futen në procedurë parlamentare pasi kanë marrë vizë nga Qeveria javën që po e lëmë pas (të martën). Ndryshimet në Ligjin për nëpunësit e administratës shtetërore kryesisht kanë të bëjnë me kushtet rreth punësimit, avancimin si dhe vlerësimin e të punësuarve në administratën shtetërore, shkruan REL.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se reformave në administratë duhet t’u paraprijë një analizë e thellë e gjendjes faktike në administratën shtetërore. “Duhet të bëhet një analizë e thellë në tërë sistemin e administratës shtetërore, pastaj një analizë e shërbimeve që marrin qytetarët nga administrata shtetërore, dhe pasi të jetë bërë kjo analizë nga ekspertë kompetentë, atëherë duhet të hartohet një plan i detajuar rreth reformave të thella në këtë sektor shumë të rëndësishëm”. “Nuk guxojmë të lejojmë reforma që do t’u shkonin përshtat politikave të kësaj ose asaj shumice parlamentare, sepse në fund qytetarët do të marrin shërbime jocilësore nga administrata”, thotë Temellko Ristevski, profesor në Fakultetin e Administratës Publike në Shkup. 

Nga dikasteri përkatës, ai i Shoqërisë Informative, sqarojnë se në bazë të ndryshimeve ligjore për nëpunësit administrativë, parashihet të hiqet parashtrimi certifikatave ndërkombëtare për njohjen e një prej tre gjuhëve të huaja si dhe testi psikologjik, sepse siç kanë theksuar, përmes këtyre mekanizmave nuk arrihet deri te punësimi i kuadrove më cilësorë. Në pjesën e avancimit, ndryshimet e propozuara do të japin mundësinë që të punësuarit të ngjisin disa shkallë menjëherë, në vend të rregullativës që mundëson ngjitjen shkallë pas shkalle. Në bazë të ligjit në fjalë, administratorët nuk do të gjobiten ngase parashikohet të hiqen gjobat, por i punësuari do të largohet nga puna nëse merr dy vlerësime negative njëri pas tjetrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat