Qeveria Zaev sikur Gruevski: Zero denarë për kulturën në komunat shqiptare

Maqedonia

Qeveria Zaev sikur Gruevski: Zero denarë për kulturën në komunat shqiptare

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 23:23
Zoran Zaev

Edhe me Qeverinë e re, vazhdon avazi i vjetër sa u përket bllok dotacioneve për komunat shqiptare. Zero denarë për kulturë do të përfitojnë shumica e komunave të banuara me shqiptarë, përderisa totali i buxhetit i paraparë për këtë qëllim, është mbi katër milionë euro. Arsyeja për këto shifra është edhe më shqetësuese sesa vetë shumat. Komunave shqiptare nuk ju takojnë bllok dotacione për kulturë, pasi institucionet kulturore në këto vendbanime ende nuk janë decentralizuar

IZET ZEQIRI, ISH DEPUTET (2011)

“Bllok dotacione në veprimtarinë e kulturës nuk ka Haraçina zero, Bogovina zero, Bërvenica zero,  Gostivari zero, Dibra zero, Zhelina zero, Zajazi zero, Likova zero, Osllomej zero, Struga, Studeniçani, Tearca, Tetova, Sarai dhe Çairi”

Ky është një nga diskutimet e ish deputetit Izet Zeqiri në fund të vitit 2011, gjatë shqyrtimit të propozim buxhetit për vitin 2012, kur ai kishte konstatuar diskriminimin e rëndë që ju bëhet komunave shqiptare në ndarjen e bllok dotacioneve si në kulturë ashtu edhe në përkujdesjen sociale të fëmijëve.

Por, edhe gjashtë vite pas këtij debati, situata mbetet përsëri e njëjtë. Edhe në buxhetin e vitit 2018, shumë komuna shqiptare madje edhe ata më të mëdhajat nuk do të marrin asnjë qindarkë nga bllok dotacionet për kulturë.

Në propozim buxhetin e Qeverisë për vitin e ardhshëm i cili tanimë është dorëzuar në Kuvend për miratim, komuna e Haraçinës, Bogovinës, Gostivarit dhe Dibrës, janë ndër komunat e para për të cilat janë paraparë zero denarë bllok dotacione për kulturë. Parashikimet janë të njëjta edhe për komunën e Dollnenit, Zhelinës, Likovës, Sarajit, Çairit, Tearcës, ndërsa zero denarë bllok dotacione për kulturë, janë paraparë edhe për komunat e mëdha si ajo e Strugës dhe Tetovës.

Arsyeja për këto shifra është edhe më shqetësuese sesa vetë shumat. Komunave shqiptare nuk ju takojnë bllok dotacione për kulturë, pasi institucionet kulturore në këto vendbanime ende nuk janë decentralizuar dhe të njëjtat mbeten ende nën menaxhim të Ministrisë së Kulturës.

Por, situatë krejt tjetër është me komunat e dominuara me maqedonas, edhe pse shumë prej tyre janë dukshëm më të vogla se komunat shqiptare.

Në buxhetin e vitit 2018 për komunën e Berovës janë paraparë 2.5 miljon denarë apo rreth 41 mijë euro bllok dotacione për kulturë. Komuna e Kavadarit, e cila numëron rreth 37 mijë banorë, do të përfitojë rreth 174 mijë euro bllok dotacione, ndërsa Tetova dhe Struga me mbi 86.500 banorë respektivisht me mbi 63.300 banorë, kanë 0 denarë dotacione.

Shuma të përafërta do të përfitojnë edhe shumë komuna të tjera rurale dhe urbane që gravitojnë në Maqedoninë lindore. Nga komunat shqiptare, shumë prej tyre si ajo e Haraçinës, Bogovinës, Dollnenit, Zhelinës dhe Tearcës, nuk do të përfitojnë asnjë denarë as nga bllok dotacionet për mbrojtje sociale të fëmijëve. Ndërkaq komunat e tjera për të cilat janë ndarë mjete për këtë qëllim, ato përsëri janë dukshëm më të ulta sesa komunat maqedonase. Komuna e Tetovës për mbrojtje sociale të fëmijëve në buxhetin e vitit të ardhëshëm është paraparë të mer rreth 630 mijë euro, ndërsa komuna Qendër do të përfitojë mbi 1 miljon e 540 mijë euro.

Edhe dallimet në shumat që ndahen për mbrojtje sociale të fëmijëve vijnë nga shkaqet e ngjashme si ato për kulturë. Në komunat shqiptare numri i çerdheve për fëmijë është disa herë më i ulër sesa ai në komunat e dominuara me maqedonas dhe i pamjaftueshëm në krahasim me numrin e banorëve dhe fëmijëve të interesuar për qëndrim në çerdhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat