Bujqit në Maqedoni, tatim personal edhe për shumat nën 300 mijë denarë

Maqedonia

Bujqit në Maqedoni, tatim personal edhe për shumat nën 300 mijë denarë

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 10:42
Ilustrim

Bujqit të cilët nuk janë të regjistruar, pas Vitit të Ri do të paguajnë tatim të çdo kilogram të shitur të produkteve. Këtë e parashikojnë ndryshimet në Ligjin për tatim personal të të ardhurave, të cilat tashmë janë në procedurë parlamentare. Sipas zgjidhjes ekzistuese, bujqit të cilët në nivel vjetor nga shitja e produkteve realizojnë të ardhura deri në 300 mijë denarë janë tërësisht të liruar nga pagesa e tatimit personal.

“Kjo shumë largohet tani dhe tatimimi fillon nga zero denarë, me shpenzime të normuara prej 80%. Nëse këta qytetarë e tejkalojnë shumën vjetore prej 1 milion denarë, do të jenë të detyruar që vitin e ardhshëm deri më 15 janar detyrimisht të regjistrohen në ndonjë regjistër”, tha Pavle Gacov, konsulent tatimor.

Shpenzimet e normuara do të thonë se këta persona do të paguajnë tatim personal në shumë prej 2% të të ardhurave të përgjithshme. Ndryshimet parashikojnë nëse perimet ose pemët i kanë blerë ndërmarrje të regjistruara ose persona fizik, ata do të jenë të obliguar ta paraqesin dhe paguajnë tatimin në emër të bujkut.

“Mekanizmi kontrollues tërhiqet drejt personave juridik. Ata janë më të mirë me evidenca, janë më të kujdesshëm në ligjshmërinë dhe janë më të lehtë për kontrollë, meqë kanë numra tatimor dhe drejtoria mund t’i ndjek lehtë transaksionet e tyre”, deklaroi Pavle Gacov, konsulent tatimor.

Bujqit që bëjnë shitje direkte personave fizik do të jenë të obliguar që vet t’i paraqesin të ardhurat dhe të paguajnë tatim. Personat që shesin produkte personale bujqësore në tregjet e gjelbra, sikurse deri tani, do të tatimohen në mënyrë paushallë. Nuk ka përllogaritje sesa para do të sjellin në buxhetin shtetërorë këto ndryshime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat