Maqedoni, masa më të ashpra për “ndotësit e mëdhenj”!

Maqedonia

Maqedoni, masa më të ashpra për “ndotësit e mëdhenj”!

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 09:46
Ilustrim, Ndotësit industrial

Industria ende seriozisht nuk po arrin të përmbushë detyrimet e saj sa i përket instalimit të teknologjisë më të mirë për parandalimin e ndotjes. Shteti duhet të bëjë hapin e parë në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi.

Kompanitë e mëdha industriale energjetike në Maqedoni në periudhën që vijon do të përballen me masa të ashpra që ta  zvogëlojnë dhe parandalojnë nivelin e ndotjes, dhe të njëjtat do të duhet të investojë më shumë në përmirësimin e teknologjisë me të cilën punojnë, në kushte kur një numër i madh i tyre edhe më tej ngecin në përmbushjen e detyrimeve të deritanishme për sigurimin e qasjes në teknikat më të mira për marrjen e “Lejeve të integruara mjedisore”, thonë përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, përcjell Portalb.mk.

Alexandra Bujaroska nga OJQ-ja “Front 21/42″, thotë se në kushte kur kapacitetet e mëdha industriale janë larg nga përmbushja e angazhimeve të vjetra, një version i ri i ligjit mjedisor tashmë është përgatitur dhe është në pritje për tu proceduar në Parlament.

“Ligji i cili është tani në draft-fazë, ishte planifikuar për miratim në vitin 2017, por duke marrë parasysh krizën politike një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur kështu që pritet që i njëjti të miratohet gjatë vitit 2018″ tha Bujaroska.

Aktualisht, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka lëshuar vetëm 26 “Leje të integruara mjedisore”, nga gjithsej 159 kërkesa të paraqitura.

Nga ministria thonë se 15 kompani janë në proces e sipër të fitimit të  “një leje të integruar mjedisore,” ndërsa 68  kompanive u janë lëshuar “A – lejet” të miratuara së bashku me planet operative, të cilat janë në proces të sigurimit të teknologjisë për parandalimin e ndotjes, 23 kërkesa janë në fazën e draft-lejes, dhe 27 nuk janë përpunuar fare ose nuk punojnë për arsye të tjera.

Në prill të vitit 2014 ishte  afati i fundit për të ashtuquajturit “ndotës të mëdhenj” që të siguronin filtra për parandalimin e ndotjes.

Bujaroska thotë se në mënyrë që të arrijnë afatin, në periudhën në mes fillimit të vitit 2013 dhe prillit të vitit 2014, Ministria me nxitim dhe pa pjesëmarrjen e publikut ka lëshuar shumë leje të miratuara me plane operative.

“Deri më sot, kanë mbetur më shumë se 20 kërkesa të papërfunduara. Ndër të cilat më kryesoret: dy termocentralet “REK Manastir” dhe “REK Osllomej” të cilat ende nuk kanë një plan final për zvogëlim të ndotjes, që nënkupton se ende jemi shumë larg nga përmbushja e detyrimeve”, thotë Bujaroska.

Shteti duhet të vendos filtra

Në rastin e “REK Manastir”, SHA ELEM e cila menaxhon me instalimet është pronë e shtetit dhe realisht në qoftë se shteti dëshiron të bëjë hapa përpara, ndoshta fillimisht duhet të nisë nga instalimet e veta, për sa i përket zgjidhjes së problemit të “REK Manastir”, tha Ana Çoloviç – Leshoska nga organizata qytetare “Eko-svest”.

“Menaxhimi i duhur i pluhurit në mënyrë që të mos lëshohet në hapësirë është një nga problemet më të vështira i cili nuk ka gjetur zgjidhje deri më tani. Në të njëjtën kohë ka probleme sa i përket mungesës së pyllëzimit dhe masave të tjera që “REK Manastir” është dashur ti ndërmerr këto vitet e fundit, por kompania nuk e ka bërë diçka të tillë dhe tani duhet të punohet intensivisht që të arrij në kohë ti plotësoi detyrimet. Mendoj se nëse bëhen përpjekje në këtë drejtim, deri në fund të vitit 2018, “REK Manastiri” do të ketë filtra adekuat, “tha Çolovic-Leshoska.

Lidhur me fabriken Jugohrom që njihet si ndotësi më i madh, Çoloviç – Leshoska shton se Ministria e Mjedisit ka marrë informacion se kompania është në proces të ndërtimit të filtrave dhe kompania nuk do të licencohet për punë, derisa të përfundoj ndërtimi i tyre.

Aktivistët e OJQ-së “Front 21/42″ disa vite më parë së bashku me organizata të tjera të shoqërisë civile zhvilluan hulumtim në lidhje me zbatimin e detyrimeve ligjore të kompanive për të instaluar teknologjinë për të parandaluar ndotjen. Hulumtimi vlerësoi se parandalimi i ndotjes industriale në Maqedoni është një “mision i pamundur” për shkak të lëshimeve serioze në procesin e pajisjes me “Leje A”, ku në shumë raste janë evidentuar shkelje të Ligjit për Mjedisin Jetësor.

Bujaroska thotë se kohëve të fundit, situata ka ndryshuar pjesërisht, por përfundimi mbetet që industria ende po ngec seriozisht në drejtim të instalimit të teknikave më të mira të mundshme kundër ndotjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat