Deklarohet Kuvendi për imunitetin e të arrestuarve

Maqedonia

Deklarohet Kuvendi për imunitetin e të arrestuarve

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 09:37
Kuvendi i Maqedonise

Komisioni për Çështje të Rregullores së Imunitetit dhe Mandatit pritet që sot të debatojë për kërkesën e Gjykatës Penale për marrjen e imunitetit për gjashtë deputetë, të cilët Prokuroria i ngarkon për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit, ndërsa lidhur me dhunën në Kuvend më 27 prill.

Kërkesat nga gjykata dje kanë mbërritur në Kuvend, por pritej që kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi të kthehet nga udhëtimi në Suedi. Sipas rregullores së Kuvendit, Xhaferi duhet t’i përcjellë kërkesat deri te kryetari i Komisionit për Çështje të Rregullores së Mandatit dhe Imunitetit Pavle Bogoevski, i cili duhet të caktojë seancë në të cilën duhet të vendosë për to. Bogoevski dje paralajmëroi se seancë do të caktojë menjëherë sapo ta marrë njoftimin nga kryetari i Parlamentit.

Disa deputetë janë në mesin e 36 personave të cilët Prokuroria Themelore Publike po i ndjek për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Policia me urdhër të PP-së dje në mëngjes e arrestoi ish-ministrin e Punëve të Brendshme dhe drejtor i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov. Përveç tij, janë arrestuar edhe deputetët të cilët i hapën dyert e Kuvendit, si dhe një pjesë e organizatorëve të protestave, Kërsto Mukovski, Sasho Vasilevski, Zhaklina Peshevska, si dhe ish-drejtori i OBM-së Igor Durllovski, aktorët Vllado Jovanovski dhe Boris Damovski, Bogdan Ilievski, Goran Angelov Qoseto të cilët janë vetëm një pjesë e të arrestuarve.

Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit informoi se është hapur procedurë hetuese kundër 36 personave të involvuar në ngjarjet e përgjakshme nga hyrja e dhunshme në Dhomën Ligjdhënëse.

“Pas shqyrtimit dhe analizës së materialit të grumbulluar dëshmues, PTHP për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit solli urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër 36 personave për shkak të dyshimit kryesor për vepër të kryer penale Rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë nga neni 313 i Kodit Penal”, thekson PTHP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat