Kuvendi votoi heqjen e imunitetit për gjashtë deputetët e VMRO-së

Maqedonia

Kuvendi votoi heqjen e imunitetit për gjashtë deputetët e VMRO-së

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 15:57
Kuvendi i Maqedonisë

Shumica parlamentare e Maqedonisë me votë ka mbështetur kërkesën e Gjykatës Themelore të Shkupit për heqjen e imunitetit gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët akuzohen për zhvillimet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill. Paraprakisht, Prokuroria Themelore Publike të njëjtit i akuzon për “rrezikim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese”.

Pas heqjes së imunitetit, në bazë të procedurave vendimi i shumicës parlamentare dorëzohet në Gjykatën Themelore Shkupi 1, ndërkaq pas kësaj pritet që me urdhër të Gjykatës, të paraburgosen deputetët: Zhaklina Peshevska Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski dhe Lupço Dimovski.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski tha se ka kaluar koha e arrestimeve spektakolare para mediave dhe është zotuar për respektimin e procedurave ligjore dhe respektimin e prezumimit të pafajësisë.

Seancën parlamentare të Maqedonisë e kanë bojkotuar deputetët e VMRO-DPMNE-së. Nga kjo parti përmes një komunikate me shkrim kanë theksuar se “nuk do të bëhen pjesë e kësaj farse politike që në esencë ka revanshizmin politik ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe”.

Partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE edhe sot u ka bërë thirrje anëtarëve të partisë që të dalin në protesta para Gjykatës si dhe kanë paralajmëruar bllokimin e rrugëve.

Ndërkaq, koordinatori i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Tomisllav Tuntev tha se Kuvendi i Maqedonisë ka dy opsione, t’i hapë rrugë sundimit të drejtësisë duke ua hequr imunitetin deputetëve ose në Maqedoni të vazhdojë aplikimi i drejtësisë selektive.

“Kthimi i shtetit ligjor është i patjetërsueshëm për shtetin tonë, ndërkaq Kuvendi duhet të jetë shembull për atë. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët”, tha Tomisllav Tuntev, koordinatori i grupit parlamentar të socialdemokratëve të kryeministrit Zoran Zaev.

Në anën tjetër, koordinatori i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi tha se heqja e imunitetit të deputetëve që kanë shkelur ligjin, duhet të paraqet një leksion për të gjithë ata të cilët përmes dhunës synojnë të bllokojnë institucionet.

“27 prilli ishte një ditë e vështirë për imazhin e shtetit, dhe kredibilitetin e të gjithë neve. Ato skena të mos përsëriten asnjëherë më, dhe për këtë të gjithë ne bartim përgjegjësi. Të gjithë ne duhet të jemi të barabartë para ligjit dhe shtetit, prandaj të gjithë ne bashkë duhet të mbledhim forca për të tejkaluar trashëgiminë e 27 prillit, duke respektuar ligjin, sundimin e së drejtës, dhe duke respektuar vullnetin e popullit”, tha Artan Grubi.

Ndryshe, në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Maqedonisë, gjashtë deputetët, të cilëve u është hequr imuniteti do të mbeten në funksionin e deputetit deri në momentin, kur eventualisht ata të dënohen dhe vendimi i Gjykatës Penale bëhet i plotfuqishëm, apo nëse deputetët dënohen me më shumë se pesë vjet burgim./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat