Spasovski: Janë zbuluar sasitë më të mëdha të drogës sintetike në Ballkan

Maqedonia

Spasovski: Janë zbuluar sasitë më të mëdha të drogës sintetike në Ballkan

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 10:23
Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë, Oliver Spasovski

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë, Oliver Spasovski, sot informoi se gjatë aksionit të mbrëmshëm të kryer në Tetovë është zbuluar një laborator ilegal për prodhimin e drogës sintetike në hapësirën e Ballkanit.

Ministri Spasovski tha se nga liria janë privuar gjashtë persona, shtetas të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Serbisë.

“Sektori për shkatërrimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda dhe prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit me një ekip të përbashkët hetues nga Serbia dhe në aktivitete koordinuese me DEA (Shërbimi për luftë kundër drogës në SHBA) zbatoi një hetim ndërkombëtar me qëllim të shkatërrimit të një grupi të organizuar kriminal të përfshirë në prodhimin dhe shitjen e drogës”, deklaroi Spasovski.

Mësohet se janë kryer bastisje në dy lokacione në Tetovë dhe pesë lokacione në Shkup. “Janë zbuluar deri tani sasitë më të mëdha të drogës sintetike në hapësirën e Ballkanit, ndërsa nëse vlerësimet e para dalin të sakta, me siguri do të jetë edhe një nga konfiskimet më të mëdha të drogës sintetike në korniza ndërkombëtare”, theksoi Spasovski.

Ai theksoi se në laborator, i zbuluar në lokacion në Tetovë, sipas informacioneve paraprake janë zbuluar mbi 125 kilogramë drogë sintetike ose sipas disa vlerësimeve të para bëhet fjalë për minimum 500.000 tableta drogë sintetike vlera e së cilës tejkalon shifrën prej 2.5 milionë euro, por meqë aktivitetet janë ende në vazhdim, siç theksoi ai, pritet që shifrat të jenë më të mëdha.

Ministri serb Stefanoviq: Kjo është një nga rezultatet më të mira në konfiskimin e drogës sintetike

Nënkryetari i Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, me rastin e aksionit të policisë së Maqedonisë dhe Serbisë sot deklaroi se kjo është “një nga rezultatet më të mira në konfiskimin e drogës sintetike”.

Stefanoviq sqaroi se pas aksionit, për të cilin tha se ka zgjatur thuajse një vit policia me kujdes ka ndjekur të gjitha aktivitetet, transportin e pajisjes që ka qarkulluar nga Serbia në Maqedoni, si dhe nga Maqedonia në Serbi, por edhe aktivitetet të cilat kanë shërbyer për përgatitjen e drogës sintetike. Ministri serb saktësoi se ky konfiskim i drogës sintetike është shumë me rëndësi edhe për shkak të asaj se bëhet fjalë për Katagon, drogë e re sintetike e cila është e preferuar tek luftëtarët e DEASH-it.

Sipas tij, ky aksion me siguri do të vazhdojë edhe në territorin e Turqisë, ku siç tha, në bashkëpunim me policinë e këtij shteti, arritën deri te identiteti i blerësve potencial.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat