BDI mirëpret epilogun e "Monstrës"

Maqedonia

BDI mirëpret epilogun e "Monstrës"

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 12:11
Bashkimi Demokratik për Integrim

Bashkimi Demokratik për Integrim mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme për rigjykim të rastit “Monstra” dhe lirimin e të akuzuarve për t’u mbrojtur në liri, duke thënë se kërkesa e prokurorisë dhe vendimi i gjykatësve janë të drejta dhe në përputhje me pritjet e qytetarëve.

Që në fillimet e hetimit dhe më pas edhe të gjykimit të rastit, BDI ka insistuar për zbardhje të tërësishme të së vërtetës, rigjykim transparent të rastit me monitorim të theksuar ndërkombëtar dhe bashkëpunim rajonal të institucioneve, thuhet në një komunikatë për media.

Për më tepër BDI shprehet fuqimisht e përkushtuar për reformim të gjyqësorit sipas rekomandimeve të BE-së dhe për sundim të së drejtës dhe ligjit edhe në të gjitha rastet e tjera kontestuese që kanë nxitur dyshime tek të gjithë ne.

Ndërkaq, BDI shpreh keqardhje dhe neveri për keqpërdorimin dhe abuzimin nga ana e partive politike shqiptare në reagimet e tyre ndaj kësaj ditë të veçantë dhe këtij lajmi të mirë.

“Abuzimi politik me fatet e njerëzve dhe mosdhënia e asnjë kontributi për ti zgjidhur çështjet kontestuese zëvendësohet me retorikë shpifëse, përçarëse dhe nxitëse. Për këtë, qytetarët janë vlerësuesi më i mirë dhe më i drejtë”, përfundon komunikata e BDI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat