Kush janë zëvendësuesit e mundshëm të Nikolla Gruevskit

Maqedonia

Kush janë zëvendësuesit e mundshëm të Nikolla Gruevskit

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 16:45
VMRO-DPMNE

Nëse synimet e Nikolla Gruevskit për braktisjen e pozicionit të liderit në VMRO-DPMNE janë të sinqerta, kjo parti do të bëhet me lider të ri për më pak se tre javë.

Komiteti ekzekutiv mbrëmë vonë në mënyrë të shpejtuar vendosi të organizohet kongres i jashtëzakonshëm, i cili tashmë është caktuar për më 23 dhjetor. Sipas informacioneve të Alsat M, tashmë të shtunën e ardhshme do të mbahet seancë e Komitetit Qendror të partisë që të fillohet procedura për mbajtjen e kongresit. Sipas Statutit të VMRO-DPMNE-së, kongresi i jashtëzakonshëm mbahet me kërkesë të gjysmës së anëtarëve të Komitetit Qendror që është tashmë e sigurt se do të ndodhë këtë fundjavë.

Ajo që nuk është e sigurt është se kush janë kandidatët që do të hyjnë në garën për marrjen e kolltukut më prestigjioz në Pallatin e Bardhë të VMRO-së. Deri tani, askush nga kreu më i lartë e partisë nuk ka paralajmëruar kandidaturë zyrtare. Në opinion tashmë një periudhë më të gjatë spekulohet me disa emra. Sipas njohurive të Alsat M, në lojë si kandidatë më serioz eventualisht mbeten sekretari i përgjithshëm i partisë Kristijan Mickovski, ish-ministri i Shëndetësisë dhe i Arsimit Nikolla Todorov, deputeti Ilija Dimovski dhe ish-ministri i Jashtëm Nikolla Poposki. Për një pjesë të tyre supozohet se tashmë një kohë të caktuar kanë lobuar në mënyrë aktive në mesin e anëtarësisë në terren.

Agjencia informative bullgare BG Nes sot publikoi se Gruevski për pasardhës të tij është duke e përgatitur deputetin aktual 37 vjeçar Ilija Dimovski. Në publikimin e tyre, Dimovski është përshkruar si njeri i besueshëm i liderit aktual. BG Nes, Dimovskin e quan njërin nga mbështetësit më të fuqishëm të projektit “Shkupi 2014” dhe njeriu që personalisht udhëheq bllokadat në Parlamentin e Maqedonisë gjatë periudhës para zgjedhjes së Qeverisë aktuale.

Lista përfundimtare e pasardhësve potencial të Gruevskit do të dihet në ditën e mbajtjes së kongresit, duke marrë parasysh faktin se Statuti parashikon që kandidat për kryetar mund të propozojnë së paku 30 delegatë të Kongresit. Kjo e lë të hapur mundësinë që ndonjë emër të dalë në sipërfaqe edhe më 23 dhjetor.

Vendi në të cilin do të mbahet kongresi i jashtëzakonshëm ende nuk është përcaktuar. Në të do të marrin pjesë delegatët e njëjtë, të cilët në kongresin e fundit të rregullt në maj të vitit 2015 për të katërtën herë e rizgjodhën Gruevskin, lider të partisë. Atëherë, prej gjithsej 560 delegatëve të pranishëm, votuan 529, prej të cilëve 528 e rrethuan emrin e tij, ndërsa një fletë është shpallur e pavlefshme. Gruevski është në krye të VMRO-DPMNE 14 vite e gjysmë, gjegjësisht që nga viti 2003. Javën e kaluar ai paralajmëroi se do të tërhiqet nga posti i kryetarit për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale dhe siç u shpreh, me shpresë së kjo do të ndihmojë në zgjidhjen e atmosferës së përgjithshme politike në shtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat