Çështja e emrit të Maqedonisë nuk do të zgjidhet së shpejti

Maqedonia

Çështja e emrit të Maqedonisë nuk do të zgjidhet së shpejti

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 10:28
Pamje nga video

Në bisedimet mes Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontestit të emrit ka optimizëm, por zgjidhja nuk do të vijë aq shpejtë saqë pritet. Kështu vlerëson analisti Anton Pançev në shkrimin e tij për revistën Shenja, ku shton se megjithatë forcat nacionaliste në dy vendet do të zvarrisin këtë problem. Po rai shpreson se pozita aktuale në të cilën ndodhet Greqia do t’ia lehtësojë Maqedonisë rrugëtimin euro atlantik.

”Diskutimet diplomatike dhe politike ndërmjet Shkupit dhe Athinës do të jenë të vështira dhe arritja e rezultateve konkrete me siguri do të marrë më shumë kohë sesa mund të pritet nga parashikimet optimiste, madje edhe për shkak të rezistencës së forcave nacionaliste në këto vende. Gjithsesi, Greqia tani ndodhet në një pozitë jo kaq të favorshme si në periudhën e mëparshme, sepse ajo nuk mund ta vazhdojë izolimin e Maqedonisë nga strukturat euroatlantike, kur ka rreziqe nga ndërhyrje të jashtme dhe stabiliteti i Ballkanit është me prioritet për BE-në dhe NATO-n”, shkruan Anton Pançev.

Analisti tjetër Dauti Dauti shkruan për qëndrimin e shqiptarëve ndaj këtij kontesti, ku ai e vlerëson këtë qasje si parimore dhe objektive.

“Edhe ato pak përpjekje të BDI-së nëpërmjet lobimeve te pala greke nuk dhanë e as që kanë mundur të japin ndonjë rezultat, por edhe mund të jenë keqkuptuar nga disa qarqe që çdoherë e shikojnë me dyshim çdo involvim të shqiptarëve në këtë çështje. Më shumë se dy dekada subjektet shqiptare kishin mirëkuptim për ndjeshmërinë te bashkëqytetarëve maqedonas dhe nuk bënë kurrfarë presionesh për t’i cenuar interesat e tyre kombëtare. Nëse nuk mundën të ndihmojnë, të paktën nuk u bënë pengesë”, thekson Daut Dauti.

Por, ky qëndrim dhe vetë kontesti i emrit bashkë me procesin integrues, sipas analistit Rizvan Sulejmani ju ka kushtuar shtrenjtë shqiptarëve. Sulejmani thotë se shqiptarët nuk arritën asnjërin nga dy qëllimet strategjike, as integrimet e as ato kombëtare.

“Pse themi se shqiptarët e paguan shtrenjtë idenë që çështja strategjike – integrimi në NATO dhe BE – duhet të jetë prioritet, karshi interesave jetike, momentale, të përditshme të elektoratit që përfaqësojnë (shqiptarët)? Së pari, sepse ata nuk e arritën asnjërin nga qëllimet; as nuk u bënë shqiptarët të barabartë me maqedonasit e as nuk u integrua vendi në NATO dhe BE. Dhe, e dyta, përderisa ata lavjerrësin e mbajtën në kahe të kundërt të atij kombëtara, në atë strategjik, kjo solli deri te deligjitimimi, harxhimi, para elektoratit dhe zhdukja nga skena politike”, deklaron Rizvan Sulejmani.

Këto vlerësime janë pjesë e analizave dhe kolumnave të botuara në numrin më të ri të revistës Shenja ku trajtohen bisedimet për emrin dhe debllokimit të proceseve integruese të Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat