Vazhdojnë punimet në autostradën Kërçovë-Ohër

Maqedonia

Vazhdojnë punimet në autostradën Kërçovë-Ohër

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 11:31
Punimet

Pas vonesës disa muajshe, vazhduan punimet për ndërtimin e autostradës Ohër – Kërçovë. Punëtorët shpresojnë se në pranverë kjo autostradë do të asfaltohet. Fillimisht, rruga u desh të jetë gati deri në janar 2018.

“Rruga që është në ndërtim e sipër nuk më duket si autostradë, sinqerisht më shumë është si vazhdimësi e të njëjtës rrugë. Sepse ka shumë kthesa.Vetëm në Kërçovë dhe para Ohrit ka disa viadukte. Më shumë më duket si zgjerim i rrugës ekzistuese, se sa një autostradë”, thotë Lindi Vlashi, punëtor në autostradë.

Në gjendje të keqe është edhe rruga ekzistuese. Ajo është e dëmtuar në shumë vende me vrima. Qytetarët besojnë se nuk është mjaft i sigurt për vozitje.

Gjithnjë e më shumë qytetarë marrin aktgjykime pozitive nga Gjykata e Apelit në Manastir, për kërkesat e tyre në padi, për pagesën e shumave më të larta për shpronësimin e tokës të cilëve iu mor toka për ndërtimin e rrugës.

“Për tokë më atraktive mes fshatit Podmolje dhe në hyrje të Ohrit, ofrohej 20 euro për metër katror, dhe tani është 47 euro.Janë rrefuzuar ankesat e Prokurorisë publike dhe ashtu si vijnë aktgjykimet, paratë transferohen në llogari”, deklaroi Vllado Çingovski, avokat dhe pronar pronash.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Alsat M thonë janë duke punuar në vende ku rruga e lejon atë. Ata shtojnë se ende negociojnë me kontraktorin në lidhje me vazhdimin e afatit dhe mjetet financiare, që duhet të paguhen në mënyrë shtesë nga shteti për ndërtim. Afati i fundit për negociata është janari 2018.Në pyetjen se cili do të jetë afati i fundit për ndërtimin, nga Ministria u përgjigjën se tani për tani nuk ka afate të caktuara dhe se ato duhet ti japë kompania kineze Sinohydro dhe atë ta miratojë mbikëqyrësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat