Optimizëm në Shkup dhe Athinë para rrethit të ri të bisedimeve në Bruksel

Maqedonia

Optimizëm në Shkup dhe Athinë para rrethit të ri të bisedimeve në Bruksel

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 10:33
Foto ilustrim

Ndërmjetësi i KB-së në negociatat për kontestin e emrit ndëmjet Maqedonisë dhe Greqisë, Matthew Nimetz, pas një ndërprerje tre vjeçare, të hënën dhe të martën në Bruksel do të realizojë takime me përfaqësuesit e dy shteteve, Vasko Naumovski dhe Ademantios Vasilakis.

Takimi, siç informuan nga kabineti i Nimetz, është pjesë e përpjekjeve të KB-së për të ndihmuar dy shtetet që të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dy vendet.

Rrethi i ri i negociatave vjen në një periudhë të klimës së përmirësuar politike ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe pritje optimiste nga Shkupi dhe Athina, por edhe nga Uashingtoni dhe Brukseli për të mbyllur kontestin shumë vjeçar ndëmjet dy shteteve fqinje.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në më shumë raste ka deklaruar se duhet të ndërmerren hapa konkret dhe se tani ka mundësi më të mëdha për gjetjen e zgjidhjes për problemin e emrit me Greqinë. Në një intervistë për gazetën greke ANA-MPA, Zaev theksoi se duhet të gjejnë zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët.

“Dy palët do të jenë ose në masë të njejtë të kënaqur ose të pakënaqur. I tillë është kompromisi. Por, besoj që si politikanë, mund të përfitojmë më shumë nëse kemi guxim të gjejmë zgjidhje dhe të sjellim vendim, në vend se të shtyjmë vendimet, siç është bërë në të kaluarën”, tha Zaev.

Në lidhje me spektrin e lëshimeve që është i gatshëm të bëjë, por edhe për atë nëse pajtohet me ndryshimin e emrit të aeroportit të Shkupit, Zaev thotë se “është e qartë se është më lehtë të ndryshohet emri i një aeroporti se sa emri i një shteti”.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras pret që në vitin 2018 të ndodhin ndryshime në Ballkan, por edhe të ketë lëvizje pozitive në lidhje me kontestin e emrit, në qoftë se, siç tha ai, Shkupi vendos të ndërmarrë hapa pozitiv në këtë drejtim.

“Nëse ata heqin dorë nga retorika dhe deklaratat se ato janë pasardhësit e vetëm të Aleksandrit të Maqedonisë dhe nga qëndrimet e tyre irredentiste, atëherë ndoshta mund të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Në atë rast unë do të jem i pari që do të garantojë perspektivë evropiane dhe siguri për atë vend.”, tha Tsipras.

Paraprakisht edhe kreu i diplomacisë greke, Nikos Kotzias tha se pret që çështja e emrit të mbyllet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, duke thënë se ajo zgjidhje duhet të jetë një kompromis që të hapet rruga e Maqedonisë kah BE dhe organizatat tjera ku ajo dëshiron të kyçet.

Optimizëm se kontesti i emrit më në fund mund të zgjidhet shprehën edhe zëvendësi i ndihmës sekretarit shtetëror amerikan, Brian Hoyt Yee dhe komisari evropian për zgjerim, Johannes Hahn. Yee vlerëson se çështja e emrit është në nivelin më të lartë deri më tani dhe më afër gjetjes së zgjidhjes, ndërsa Hahn tha se pret që në gjysmën e parë të vitit 2018 të gjejnë zgjidhje politike me Greqinë për të mundësuar hapjen e negociatave me Maqedoninë për anëtarësim në BE.

Vullnet të mirë për zgjidhjen e kontestit të emrit vëren edhe ndërmjetësi Nimetz, i cili në intervistë për Agjencinë e pavarur ballkanike të lajmeve IBNA tha se pret që të tejkalohen edhe të ashtuquajturat vija të kuqe të vendosura nga Athina dhe Shkupi.

Mediat greke paralajmërojnë se ekziston mundësia që ndërmjetësi Nimetz në takimet në Bruksel të dalë me propozim konkret për emrin.

Rrethi i fundit formal i negociatave të ndërmjetësit të KB-së me përfaqësuesit e dy shteteve u mbajt në New York, në nëntor të vitit 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat