Konfirmohet mbështetja e BE-së për sektorin e mediave në Maqedoni

Maqedonia

Konfirmohet mbështetja e BE-së për sektorin e mediave në Maqedoni

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 20:22
Naser Selmani, sot u takua me euroambasadorin Samuel Zhbogar

Kryetari i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë Naser Selmani, sot u takua me euroambasadorin Samuel Zhbogar. Në takimin u diskutua për gjendjen aktuale të mediave në vend, ligjin për media si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit.

Selmani i falënderoi euroambasadorit për mbështetjen e Delegacionit të Komisionit Evropian në Shkup që ia jep ShGM-së dhe për reformat në media. Ai kërkoi nga ambasadori të inkurajojë Qeverinë për të përshpejtuar procesin e sjelljes së Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele.

Sipas tij, reformat në media janë po aq të rëndësishme sikur reformat në sektorin e sigurisë dhe gjyqësorin. “Nëse nuk ka media të lira dhe profesionale nuk ka kush të ndjek procesin e zbatimit të reformave në polici dhe në gjyqësorin”, theksoi Selmani.

Gjatë takimit u diskutua edhe për gjendjen e servisit publik dhe për mënyrat e përmirësimit të punës së tij.

Euroambasadori Zhbogar, shprehu mbështetje për punën e ShGM-së dhe u zotua për zmadhimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Sipas tij reformat në media janë të rëndësishme dhe duhet të zbatohen me kujdes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat