Angjushev: Rritja e eksportit ndikon në rritjen e BPV-së

Maqedonia

Angjushev: Rritja e eksportit ndikon në rritjen e BPV-së

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 15:08
Koço Angjushev

Eksporti në bruto prodhimin vendor merr pjesë me 53 për qind dhe që të sigurohet rritje më e madhe e ekonomisë nga katër, pesë ose gjashtë për qind, pjesëmarrja e eksportit në BPV duhet të jetë midis 60 deri 70 për qind.

Këtë e porositi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev në forumin “Përmes internacionalizimit të ekonomisë deri në rritje më të madhe ekonomike” i organizuar nga Projekti i USAID-it “Partneritet për biznes rregullativë më të mirë”.

Maqedonia është shtet i vogël me treg të kufizuar dhe konsum dhe hapësirë të limituar për rritje të BPV-së në tregun vendor. Për këtë arsye për rritje të BPV-së hapësirë ka vetëm nëse rritet eksporti, tha Angjushev.

Ai theksoi se nuk ka alternativë tjetër përveç rritjes së eksportit, por edhe të ketë mbulim më të mirë të importit me eksportin. “Gjatë muajve të fundit ky numër po rritet dhe momentalisht jemi në mbulim rekord prej 74,4 për qind”, saktësoi Angjushev.

Theksoi se Qeveria për vitin e ardhshëm parashikon për 46 për qind më shumë mjete për mbështetje të kompanive vendore të cilat do të tregojnë rritje ekonomike dhe do ta mbajnë numrin e të punësuarve, ndërsa për kompanitë e orientuara eksportuese mbështetja do të jetë dyfish më e lartë.

Eduard Gonzales, drejtori i Zyrës për zhvillim të USAID-it në Maqedoni, tha se nevojiten përmirësime plotësuese në sektorin tregtar të cilët do t’u ofrojnë mbështetje kompanive kompanive rritëse me orientin eksportues që ekonomia e Maqedonisë të mund të zhvillohet dhe të ecë përpara.

“Për këtë nevojitet që të gjithë së bashku të orientohemi drejt ndërtimit të lidhjeve më të fuqishme afariste, mundësive për krijim të bizneseve të reja dhe hapje të vendeve të reja të punës përmes rritjes së konkurrencës së kompanive, si në tregun vendor, ashtu edhe në atë të huaj”, theksoi Gonzales.

Sipas menaxherit të “Partneritet për biznes rregullativë më të mirë” Lubomir Dimovski, projekti është realizuar në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë, MASIT, Odën Ekonomike Veri-Perëndimore dhe Lidhjen e Odave Ekonomike të Maqedonisë. Deri tani janë organizuar 18 ngjarje informative dhe tetë forume nëpër Maqedoni në të cilët kanë marrë pjesë më shumë se 500 kompani.

“Në këto ngjarje janë identifikuar më shumë se 80 probleme, nevoja për përmirësim të rregullativës ekzistuese juridike me të cilën çdo ditë ballafaqohen kompanitë. janë realizuar edhe dy hulumtime afariste, rezultatet e të cilëve tregojnë se 74 për qind e kompanive të anketuara në vend konsiderojnë se nuk kanë qenë të përfshira në procesin e sjelljes së rregullativës juridike, ndërsa 62 për qind konsiderojnë se kushtet momentale në shtet për mbështetje dhe zhvillim të bizneseve janë të pamjaftueshme”, tha Dimovski.

Në forumin e sotëm po mbahen tre sesione në të cilët ekspertë vendor dhe të huaj i ndajnë dhe analizojnë problemet me të cilët më shpesh ballafaqohen kompanitë eksportuese të Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat