Alagjozovski njoftoi ndërprerjen e restaurimit të Xhamisë Ali Pasha në Ohër

Maqedonia

Alagjozovski njoftoi ndërprerjen e restaurimit të Xhamisë Ali Pasha në Ohër

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 17:01
Alagjozovski

Ministri për Kulturë i Maqedonisë, Robert Alagjozovski, njoftoi ndalimin e punimeve për restaurimin e Xhamisë pesë-shekullore Ali Pasha në Ohër, raporton Anadolu Agency (AA).

Njoftimi i ministrit Alagjozovski, u bë pas takimit të sotëm të realizuar në Ohër, me drejtorët e institucioneve kulturore të këtij qyteti.

“Ne do të ndalojmë projektin në mënyrë që të gjejmë një zgjidhjeje të përbashkët. Nuk do të kishim lejuar që atje të ndërtohet dhe me atë ndërtim të shkaktohen tensione etnike, dhe i njëjti të jetë jashtë procedurave ligjore. Në këtë drejtim jemi të qartë”, tha ministri Alagjozovski.

Sipas tij, shteti, por edhe ai në cilësi të ministrit, nuk janë kundër restaurimit të monumenteve kulturore-historike.

”Nuk kemi asgjë kundër restaurimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, përfshirë këtu edhe objektet fetare, mirëpo jemi të pajtimit dhe dëshirojmë të zbatohen procedurat ligjore. Liritë fetare janë të garantuara me kushtetutë, por fatkeqësisht çështjet si kjo shfrytëzohen edhe për nxitje të tensioneve ndëretnike dhe ndërfetare. Ne do të donim ta shikonim trashëgiminë kulturore dhe kulturën si një pasuri e cila na afron”, tha Alagjozovski, duke shtuar se veprimi i radhës i tyre është në drejtim të uljes së tensioneve, ndërsa "fatin e xhamisë së Ali Pashës ta lëmë në duar të ligjit".

Restaurimi i Xhamisë në Ohër financohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë (Türkiye Vak?flar Genel Müdürlü?ü).

Reagimet rreth restaurimit

Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, kohë më parë në një prononcim për AA tha se restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës në Ohër, bëhet në përputhje të plotë me ligjet dhe në përputhje me projektin e përgatitur i cili ka marrë të gjitha lejet e nevojshme.

Reagimi i tij kishte të bëjë për reagimet e qytetarëve të Ohrit, të cilët të organizuar dhe mbështetur nga OJQ “Sovest” reaguan ndaj mënyrës me të cilën restaurohet Xhamia e Ali Pashës në Çarshinë e Ohrit, e cila sipas tyre nuk është në përputhje me ligjin.

Ish-drejtoresha e Muzeut të Ohrit, Paskali-Buntasheska, në një deklaratë me shkrim hodhi poshtë akuzat e shoqatës në fjalë duke thënë se restaurimi zhvillohet sipas një projekti të punuar nga ekspertë dhe për të cilin janë marrë të gjitha lejet e nevojshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat