Vesel Memedi ka një kërkesë për Selën

Maqedonia

Vesel Memedi ka një kërkesë për Selën

Më: 18 dhjetor 2017 Në ora: 13:55
Vesel Memedi

Pas deklaratës së liderit të partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, se “koalicioni ASH tashmë ka dy deputetë, sepse njëri ka kaluar në BDI”, sot në konferencë për media doli njëri nga tre deputetët e koalicionit ASH, Vesel Memedi, i cili kërkoi nga Sela që “mllefin për dështimin e vet politik të mos e drejtojë ndaj tij”.

“Njerëzit që mendojnë se me akuza boshe do të mund të arrijnë diçka, e kanë kot, sepse u dëshmua se kjo logjikë e hudhjes së fajit te kundërshtarët politik, për shkak të paaftësisë tënde, është e pasukseshme. Prandaj kërkoj nga zotri Sela, që mllefin për dështimin e vet politik të mos e drejtojë drejt meje, por ta kërkojë te vetja. Sepse sikur këto akuza të ishin të sukseshme, atëherë edhe unë do të përdorja të njëjtën logjikë dhe të them se Sela ka kaluar në VMRO-DPMNE”, tha Memedi.

Memedi tha se koalicioni u prish për shkak se, siç vazhdon ta quan “LR-PDSH-ja u largua”.

“Edhe sot vazhdojmë të jemi koalicion. Por nga ky koalicion u largua LR-PDSH duke e ndryshuar edhe emrin e subjektit të vet një javë para skadimit të afatit të dorëzimit të listave dhe manipuloi duke përvetësuar emrin e Aleanca për Shqiptarët. Vesel Memedi është deputeti i vetëm i këtij koalicionit dhe vazhdon të mbrojë me ngulm konceptin dhe qëllimin e formimit të këtij koalicioni”, tha Memedi.

Përndryshe, ky reagim i Memedit vjen pasi që lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në takim me mërgimtarët shqiptarë në SHBA tha se koalicioni parlamentar “Aleanca për Shqiptarët” tashmë ka dy deputetë, pasi që njëri ka kaluar në Bashkimin Demokratik për Integrim.

“Ne i kemi pasur 3 deputetë, tash në fakt i kemi dy se njëri ka lëvizur në BDI”, tha Ziadin Sela.

Koalicioni parlamentar Aleanca për Shqiptarët si deputetë të saj kishte Ziadin Selën (ASH), Surija Rushidin (ASH) dhe Vesel Memedi (RDK).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat