Kuvend, me 61 vota ‘pro’ zgjidhet Prokurori i ri publik, Lubomir Joveski

Maqedonia

Kuvend, me 61 vota ‘pro’ zgjidhet Prokurori i ri publik, Lubomir Joveski

Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 14:07
Kuvendi

Është zgjedhur pak momente më parë prokurori i ri publik me 61 vota ‘pro’.

Plot dy herë ka dështuar votimi për zgjedhjen e Prokurorit të ri publik për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend. Për këtë arsye është kërkuar një pushim prej 30 minutash nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Në Kuvend është vërejtur mungesa e liderit të Aleancës, Zijadin Selës dhe deputetit Surija Rashidi.

Në debatin e kaluar në Kuvend nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare. Qeveria më 7 nëntor i propozoi Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë të emërohet Lubomir Joveski, anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë.

Në shpalljen që e publikoi Qeveria më 14 shtator, për prokuror publik shtetëror u paraqitën 23 kandidatë. Pas paraqitjes së kandidatëve, Këshilli i prokurorëve publikë, me kërkesë të Qeverisë, dorëzoi mendim të elaboruar në formë të shkruar për të gjithë kandidatët e paraqitur në shpallje që i përmbushin kushtet. Mendimi i Këshillit është obligues për Qeverinë, e cila kandidatët e propozuar i dorëzon në Kuvend.

Joveski 63-vjeçar në punën e tij të deritanishme ka punuar në sferën penale. Më shumë se 15 vite ka punuar si gjykatës nëpër lëndë penale, ndërsa në një mandat e ka udhëhequr Gjykatën Themelore Shkupi 2, ndërsa ka edhe përvojë pune prej mbi 12 vite si prokuror publik dhe shtatë vite në sferën e ekzekutimit të sanksioneve penale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat