12 shkurti, data e seancës së parë për rigjykimin e rastit “Monstra”

Maqedonia

12 shkurti, data e seancës së parë për rigjykimin e rastit “Monstra”

Më: 5 janar 2018 Në ora: 21:21
“Monstra”

Gjykata Themelore ka caktuar që më 12 shkurt të mbahet seanca publike për rigjykimin e rastit “Monstra”. Gjykatës të lëndës janë caktuar Ognen Stavrev dhe Osman Shabani, ndërsa në gjykimin paraprak gjykatës ishte Ivica Stefanovski. Avokati i pesë të akuzuarëve të rastit “Monstra”, Naser Raufi, sqaron se si do të vijoj rifillimi i këtij procesi gjyqësor.

“Ne si palë mbrojtëse, si avokat i pesë të akuzuarëve të rastit “Monstra”, duhet të presim që së pari sipas radhës prokuroria t’i cekë dhe të prezantoj provat, që sipas palës mbrojtëse jemi në mendim që janë prova që nuk ekzistojnë. Këtë e them sepse asnjëherë nuk kemi pasur mundësi dhe ky është një moment krucial që edhe Gjykata Supreme e kthej këtë lëndë”, tha për TV 21, Naser Raufi, avokati i të akuzuarve.

Avokati Raufi shprehet i kënaqur me përzgjedhjen e trupit gjykues dhe mendon se për një interval të shkurtër kohor, ky proces përfundimisht do të mbarojë. Ai beson se gjykimi do të jetë i drejtë dhe do t’ju mundësohet shpalosja e provave materiale dhe verbale, të cilat asnjëherë nuk iu lejuan që si palë mbrojtëse t’i prezantojnë para gjykatës.

Seanca për rigjykim të rastit Monstra vjen pas vendimit të Supremes e cila më 24 nëntor të vitit kaluar, pas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria Publike për proces jo të drejtë juridik, unanimisht votoi pro kthimit të lëndës në shkallën e parë. Pas këtij vendimi, mbrëmjen e 1 dhjetorit të vitit 2017 të dyshuarit Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq u liruan nga paraburgimi dhe u obliguan që dy hërë në javë të paraqiten në Gjykatë. Ndërkaq, Fezji Aziri mbetet në paraburgim pasi gjykohet për një vepër tjetër. Dy të akuzuarit e tjerë, Ali Demiri dhe Afrim Ismailloviq ende janë në arrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat