A do të ketë sukses dialogu i partive politike të Maqedonisë në shtëpinë e Jean Monnet?

Maqedonia

A do të ketë sukses dialogu i partive politike të Maqedonisë në shtëpinë e Jean Monnet?

Më: 6 janar 2018 Në ora: 21:16
Ilustrim

Rreth 20 ditë para udhëtimit të rëndësishëm në Paris, nuk ka përgjigje konkrete nga grupi parlamentar i OBRM-PDUKM-së opozitare në lidhje me atë se a do të jenë anëtarë të kësaj partie pjesë e takimeve më 25 dhe 26 janar në kuadër të procesit Jean Monnet.

Burime partiake thonë se ky dialog duhet të jetë i dyanshëm, dialog në të cilin pushteti duhet të tregojë veprime të vullnetit të mirë, si dhe ndërprerje të, siç thonë ato, përndjekjes politike që është duke kryer Qeveria aktuale.

Në Kuvend tashmë janë formuar grupet e punës të përbëra nga shumica parlamentare dhe opozita, për të shqyrtuar ligjet për reforma dhe për këtë qëllim kanë realizuar takim edhe kryesuesit e grupeve parlamentare të LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së, Tomisllav Tuntev dhe Vllatko Gjorçev. Para dy muajve, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgl gjatë vizitës së tij në Shkup deklaroi se procesi Jean Monnet nuk do të jetë zëvendësim ose vazhdim i Marrëveshjes së Shkupit, e as ndryshim i rekomandimeve të grupit të ekspertëve të Reinhard Priebe, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në takimin në afërsi të Parisit planifikohet të marrin pjesë edhe deputetë evropian, ekspertë të BE-së, komisari evropian për zgjerim, Johannes Hahn si dhe përfaqësues të Parlamentit francez dhe Qeverisë franceze.

Ky proces duhet të lehtësojë dialogun mes pushtetit dhe opozitës për shumë çështje të rëndësishme. Dialogu mes pushtetit dhe opozitës ka rëndësi të veçantë edhe në pritje të Raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë, ku një raport me vlerësime pozitive do të mundësonte fillimin e hapave konkret në procesin e integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat