BESA dhe ASH të sigurt në koalicion

Maqedonia

BESA dhe ASH të sigurt në koalicion

Më: 6 janar 2018 Në ora: 21:30
Ziadin Sela dhe Bilall Kasami

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA si duket kanë mësuar nga pësimi në zgjedhjet parlamentare dhe në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, ndërsa tanimë kanë synim të përbashkët të vazhdojnë koalicionin mes vete edhe në të ardhmen. Të dyja partitë presin mbarimin me sukses të Kongreseve partiake që të formalizojnë bashkëpunimin mes tyre.

Në lidhje me bashkëpunimin mes partive shqiptare në të kaluarën – nuk ka çka të tregohet për diçka pozitive si para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, ashtu dhe më pas për të faktorizuar interesin kombëtar, shkruan gazeta KOHA. Si në PPD ashtu dhe në PDSH me çarjen e saj dhe krijimin e Demokracisë së RE dhe me LR-PDSH-në, tani Aleanca për Shqiptarët ashtu dhe me BDI me formimin e partisë së Hysni Shaqirit dhe tani së fundmi me UNITETEI-n e Gëzim Ostrenit, dëmtoi në masë të konsiderueshme pozicionin politik shqiptarë në Maqedoni.

Ndonëse është herët të flitet, por edhe vonë jo për zgjedhje të parakohshme kur dihet se në rast të ndryshimit të emrit – zgjedhjet e reja parlamentare janë pothuajse të pashmangshme. Ndoshta mund të vijnë në situatë që përfundimisht partitë shqiptare të mbledhin mend e jo të luftojnë me çdo kusht njëra-tjetrën që të bashkëpunojnë dhe të kushtëzojnë palën maqedonase për barazi të plotë të shqiptarëve me maqedonasit në vend. Kjo, pasi partia në pushtet ka një afrim të madh me BDI-në edhe përkundër rivalitetit të ashpër ndër vite, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA si duket kanë mësuar nga pësimi në zgjedhjet parlamentare dhe në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, ndërsa tanimë kanë synim të përbashkët që të vazhdojnë koalicionin mes vete edhe në të ardhmen.

Në këtë drejtim, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, thotë se partia e tij çdoherë ka pasur qëllim primar unifikimin e faktorit politik shqiptarë, por se – siç thotë ai, për shkak të kuajve të Trojës ka dështuar bashkëpunimi.

“Lëvizja BESA që nga themelimi i saj ka pasur dëshirë që të unifikojë faktorin politik shqiptarë dhe ka pasur negociata të shumta dhe dëshirë për bashkëpunim me partitë tjera opozitare shqiptare, por ja që para zgjedhjeve lokale – për fat të keq dhe për shkak të shumë kuajve të Trojës, ajo gjë nuk ndodhi”, thotë Gashi. Ai kujton faktin se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale u bë i mundur bashkëpunimi me ASH-në, ndërsa është i sigurt se ky bashkëpunim do të thellohet në të ardhmen.

“U bë mirë që përfundimisht në raundin e dytë u krijuan linqe të mira të komunikimit me ASH-në dhe kishim një zotim të ndërsjellë për përkrahje të njëra-tjetrës me dëshirën që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. Jam shumë optimist se ky bashkëpunim do të thellohet me atë që do të shkojmë bashkërisht në zgjedhjet parlamentare të radhës, me çka do të vijë ndryshimi i shumëpritur në skenën politike shqiptare”, thekson Gashi. Njëjtë si Gashi nga BESA, edhe Flakron Bexheti nga ASH duke qenë i sigurt në vazhdimin e koalicionit mes dy partive, thotë se ky koalicion do të jetë fitues i padiskutueshëm i zgjedhjeve parlamentare kurdo që të mbahen ato.

“Në anëtarësinë tonë eksiton disponimi dhe vullneti pozitiv për ta vazhduar edhe më tej bashkëpunimin me Lëvizjen BESA, ngase zgjedhjet lokale treguan se ky bashkëpunim funksionoi dhe u prit mirë nga votuesit shqiptarë. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, në zgjedhjet parlamentare kurdo që të mbahen ato, do jetë fitues i padiskutueshëm në kampusin politik shqiptar. Ky bashkëpunim ka për qëllim të faktorizojë votuesin shqiptarë, drejt një barazie të plotë ekonomike dhe politike me atë maqedonas. Dhe besoj se do ja arrijmë me një përkushtim serioz dhe me përkrahje absolute nga popullata shqiptare”, tha Bexheti.

Por lidhur me formën dhe mënyrën si do të funksionojë ky koalicion, të dyja partitë presin që kjo të dihet vetëm pas Kongreseve partiake. Lëvizja BESA do të mbajë Kongresin e parë zgjedhor më 24 shkurt të këtij viti, ndërsa Aleanca për Shqiptarët më 11 mars. Pikërisht mbajtja e kongreseve pa përçarje dhe me struktura të reja pritet të ndikojë edhe në bashkëpunimin e mirë në dukje mes këtyre partive. Kjo, pasi ka zëra se tek lëvizja BESA, përveç kandidatit Bilall Kasami që udhëheq me këtë parti për afër tre vite, aktualisht brenda partisë ka persona që kanë shfaqur ambicie për kryetar, por që ende nuk janë formalizuar në Komisionin zgjedhor. Edhe tek ASH ndonëse shihet një unitet më i madh në parti, brenda strukturave ka zëra të pakënaqur për braktisjen e Qeverisë, por jo aq sa të mund të krijojnë grupe të forta dhe të sfidojnë kryetarin aktual, Ziadin Sela, për të vazhduar ti prijë edhe më tej partisë.

Tek partitë tjera, RDK e Vesel Memedit vazhdon koalicionin “Aleanca për Shqiptarët” me partinë e UNITETI-t të Gëzim Ostrenit – parti këto që janë në partneritet qeveritar me BDI-në dhe LSDM-në. Kur jemi tek bashkëpunimet në të ardhmen në raport me Qeverinë, BDI duke pasur një bashkëpunim me PDSH-në, ka gjasa që kjo e fundit të ofrohet në Qeveri. Në lidhje me bashkëpunimet parazgjedhore mbetet të shihet nëse do të ndryshojë sistemi zgjedhor. LSDM kur ishte në opozitë ishte këmbëngulëse që të kalohet në Një njësi zgjedhore, por që u kundërshtua nga VMRO dhe BDI. Në BDI nuk kanë parapëlqyet të kalohet në Një njësi zgjedhore për faktin se nuk janë të sigurt se do të rritet pozicioni politik shqiptar. Bazuar në koalicionin që patën BDI dhe LSDM në zgjedhjet lokale, në opinion qarkullojnë zëra se në zgjedhje parlamentare të radhës këto dy parti mund të jenë në koalicion parazgjedhor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat