Mickovski konsulton anëtarët për kthimin në Kuvend

Maqedonia

Mickovski konsulton anëtarët për kthimin në Kuvend

Më: 8 janar 2018 Në ora: 15:44
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski

VMRO-DPMNE nesër në koordinimin brendapartiak do të vendosë nëse do të kthehet në Kuvend ose jo. Për pushtetin, vendi i opozitës është në Parlament. Është e paqartë se si VMRO-DPMNE-ja do të funksionojë, sepse partia është e ndarë tashmë në dhjetë grupe parlamentare dhe një pjesë e deputetëve janë në paraburgim për ngjarjet e 27 prillit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, për Alsat M thotë se nesër partia do të mbajë një takim koordinues për të vendosur se si do të veprojë më tej. Ai nuk deshi as ta konfirmojë, e as të përgënjeshtrojë zërat se deputetët e partisë së tij, nesër mund kthehen në Kuvend.

Nesër do të kemi koordinim dhe do të vendosim se çfarë hapash do të ndërmarrim në të ardhmen. Në këtë moment nuk mundem të them asgjë më shumë- deklaroi kryetar i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski.

Nesër në Parlament janë caktuar gjashtë mbledhje. Në rendin e ditës është Ligji i gjuhëve, për të cilin pushteti deri tani nuk deshi të votojë në mungesë të opozitës. Sipas deputetit të LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, VMRO-DPMNE-ja duhet të kthehet në Parlament, sepse këtë e presin edhe qytetarët.

Pushteti duhet të kontrollohet vazhdimisht nga opozita, t’i mbrojë interesat e qytetarëve dhe ne besojmë se do të gjejnë forcë, që mosmarrëveshjet e brendshme t’i kapërcejnë dhe të kthehen në parlament- deklaroi deputet i LSDM-së Aleksandar Kiracovski.

VMRO-DPMN-ja nuk merr pjesë në punët e Kuvendit që pas arrestimit të gjashtë deputetëve të opozitës në lidhje me ngjarjet e 27 prillit. Pikërisht shkaku i paraburgimit, është e pasigurt si do të funksionojnë 10 grupet parlamentare të opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat