Serbët në Maqedoni, edhe pa nxënës kanë paralele

Maqedonia

Serbët në Maqedoni, edhe pa nxënës kanë paralele

Më: 10 janar 2018 Në ora: 10:14
Ilustrim

Pavarësisht karakterit multietnik me të cilin definohet shoqëria në shtetin e Maqedonisë, kur është në pyetje arsimi – një gjë e tillë reflektohet në të njëjtën masë. Dhe kur diskutohen të drejtat kolektive të individëve, siç është shkollimi në gjuhën amtare, jo të gjithë nxënësit e realizojnë në shkallë të njëjtë këtë të drejtë, shkruan gazeta Koha.

Pjesëmarrja e tyre, sipas përkatësisë etnike nëpër shkolla nga njëra anë dhe përqindja e shkollave në një gjuhë të caktuar – tregojnë se në Maqedoni nuk respektohet parimi i raporteve të drejta. Konkretisht, mungojnë politikat e balancuara në arsim. Më të privilegjuar, sikurse dëshmojnë shifrat, janë nxënësit maqedonas, të cilët dominojnë shkollat fillore dhe të mesme për nga numri i paraleleve që hapen në atë gjuhë, por jo edhe për nga numri i nxënësve. Pas tyre vijnë serbët, për të cilët hapen paralele edhe kur s’kanë nxënës.

Në konkurset për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme – në mënyrë të vazhdueshme planifikohet formimi i paraleleve edhe në gjuhën serbe. Ka të paktën 20 vjet që numri i nxënësve të regjistruar në këto paralele është zero. Por pavarësisht kësaj, MASH nuk heq dorë nga pretendimi për krijimin e atyre paraleleve, të cilat për momentin kanë vetëm një funksion, të “shtojnë” në mënyrë artificiale numrin e shkollave multietnike edhe pse jo në atë masë sa për të ndryshuar realitetin e kundërt të atij pretendimi.

Në grupimin e shkollave me mësim në një, dy dhe tre gjuhë – përqindje jo shumë e madhe e institucioneve arsimore frymojnë si multietnike. Nga gjithsej 106 shkolla të mesme publike, të cilat funksionojnë në Maqedoni – vetëm në 10 prej tyre (9.4 për qind) mësimi zhvillohet në tre gjuhë, respektivisht në maqedonisht, shqip dhe turqisht. Madje, edhe shtrirja e këtyre shkollave është në komuna më shumicë shqiptare si Tetova, Gostivari, Struga dhe Çairi. Sakaq, nuk është në nivele kushedi sa të larta as përqindja e shkollave ku mësimi zhvillohet në dy gjuhë: maqedonisht-shqip apo maqedonisht-turqisht.

Në total, numri i këtyre shkollave është 28, pra vetëm 26.4 për qind e numrit të përgjithshëm të shkollave të mesme, prej të cilave 26 shkolla (22.6 për qind) kanë paralelet edhe në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe, kurse në dy (1.8 për qind) mësohet në gjuhën maqedonase dhe turke. Realisht, në Maqedoni dominojnë shkollat njëgjuhëshe (monetnike). Numri i tyre në vitin 2016/2017 është 86 shkolla gjithsej, pjesa dërmuese në gjuhën maqedonase, shkruan KOHA. Vetëm me mësim në gjuhën maqedonase janë 61 shkolla, ose 57.5 për qind, kurse vetëm në gjuhën shqipe janë 7 shkolla ose 6.6 për qind.

Kjo ndarje nuk përputhet në asnjë rast me përqindjen reale të nxënësve sipas përkatësisë etnike në shkolla. Në Konkursin për regjistrim të nxënësve në shkollat e mesme, në bazë të paraleleve të lejuara – rezulton se 18.8 për qind janë planifikuar të hapen në gjuhën shqipe (pra 196 paralele nga gjithsej 1042 paralele). Pra pjesëmarrja me paralele e shqiptarëve është trefish më e lartë se përqindja e shkollave ku mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe.

Ndërkaq, për maqedonasit jo vetëm përqindja e shkollave, por edhe ajo e paraleleve është më e lartë. Po sipas atij Konkursi, për maqedonasit u lejuan 822 paralele ose 81.7 për qind, për turqit 23 paralele (2.2 për qind) dhe për serbët 1 paralele (0.1 për qind) e cila nuk formohet asnjëherë, pasi nuk ka nxënës të interesuar. Se këto nuk janë përqindjet reale të pjesëmarrësve në shkollë sipas përkatësisë etnike, dihet mirëfilli. Tregues më i mirë është padyshim numri i nxënësve.

Vetëm në Shkup, qershorin që kaloi arsimin nëntëvjeçar e mbaruan 5416 nxënës. Prej tyre 3180 nxënës ose 58.7 për qind në gjuhën maqedonase dhe 2236 nxënës ose 39 për qind në gjuhën shqipe. Në nivel shteti, pjesëmarrja e gjysmëmaturantëve shqiptar pëson rënie, por jo më poshtë se 35 për qind.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat