Shekerinska me 1280 euro pagë, ushtarët me çizme të grisura

Maqedonia

Shekerinska me 1280 euro pagë, ushtarët me çizme të grisura

Më: 15 janar 2018 Në ora: 20:02
Radmilla Shekerinska

Pjesëtaret e ARM-së nuk po i gëzohen edhe aq shumë rritjes së pagës për 10%. Kushtet e vështira në punë po i bëjnë ata që të heqin dorë nga misioni i mbrojtjes së vendit.

Sipas Sindikatës për mbrojtje dhe siguri, vetëm vitin e kaluar rreth 100 ushtarë janë larguar nga ARM-ja. Risto Ajov thotë se një arsye tjetër është edhe oferta e kompanive të huaja të sigurisë, të cilat paguajnë nga 6 mijë deri në 8 mijë dollarë.

Ai thotë se ushtarët e kualifikuar po braktisin armatën, ndërsa të rinjtë duhet të trajnohen 3 vjet për të arritur nivelin e tyre. Këto fakte, sipas tij, e rendisin Mbrojtjen si ministrinë më të padëshirueshme për punësim.

“Pjesëtarët e ARM-së, duke marrë pjesë në misionet paqësore në Afganistan dhe Irak, kanë treguar aftësi në detyrat luftarake, të cilëve mund t’ju besohet. Andaj, ata janë një target-grup i rëndësishëm për të gjithë ato kompani për siguri që punojnë privat në ato hapësira të krizës. Ushtarët lehtë vendosin ta ndërrojnë punën e sigurtë në ARM, me të ashtuquajturën punë më pak të sigurtë për kompanitë private nën flamurin amerikan ose britanik”, u shpreh Risto Ajtov, Kryetar i Sindikatës për mbrojtje dhe Siguri.

Përveç zëvendësimit të të pensionuarve dhe atyre që janë larguar, Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, paralajmëron që këtë vit do të pranojnë edhe ushtarë të rinj profesionistë. Ndonëse ajo zotohet për sigurimin e uniformave të reja të ushtarëve, sindikalistët thonë se ende ka ushtarë me uniforma të leckosura dhe çizme të grisura. Shekerinska e pranon se rritja e pagës nuk është e mjaftueshme, por thotë se ministria do të vazhdojë në përmirësimin e kushteve të tyre.

“Të gjitha ata që kanë hyrë tani në ARM ose Ministrinë e mbrojtjes janë shokuar nga fakti se sa shumë është përkeqësuar gjendja. Ky nuk është shtet i pasur, por ka para të mjaftueshme që të sigurojë kushtet elementare për funksionimin e armatës. Kjo nuk do të thotë se të gjitha problemet në armatë do të zhduken, megjithatë ushtarët do ta marrin përshtypjen se dikush kujdeset për ta. Për fat të keq, armatën filluam ta përmendim vetëm atëherë kur ka krizë, pastaj lihen në harresë”, tha Radmilla Shekerinska, Ministre e Mbrojtjes.

Sa sa ka shteti para për armatën, ky fakt është më i dukshëm tek udhëheqësia e mbrojtjes. Sipas projektit për transparencë, Ministria e mbrojtjes ka publikuar pagat e funksionarëve nga kryesia dhe gjeneralëve të ARM-së, të cilat janë mbi 1.000 euro. Ministrja Shekerinska ka pagën mujore prej 1.280 euro, zëvendësministri Bekim Maksuti merr pagë prej 1.055 euro, kurse 40 euro më pak se ministrja merr shef i Shtabit Gjeneral, Metodija Veliçkovski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat