Shkollat shqipe në Maqedoni të pasigurta

Maqedonia

Shkollat shqipe në Maqedoni të pasigurta

Më: 16 janar 2018 Në ora: 08:31
Ilustrim

Ministria e Arsimit do të zgjedhë shkollat më të pastërta dhe më të sigurta për vitin 2017, në bazë të standardeve të larta të pastërtisë dhe sigurisë që duhet të plotësojnë për të fituar atë status, shkruan gazeta Koha. Por, nuk do të jetë vetëm plotësimi i këtyre standardeve kusht për zgjedhje. Shkollat duhet të kenë qenë paraprakisht pjesë e programeve të caktuara që të mund të bëhen pjesë e Konkursit, pra janë disa kritere të seleksionimit paraprak që diktojë mundësinë e shkollave për të aplikuar ose jo.

Ato që do të aplikojnë për zgjedhjen e “Shkollës më të pastër dhe më të sigurt” duhet të jenë pjesë e “Integrimit për edukim ekologjik në sistemin arsimor maqedonas” (EKO shkolla), si dhe të kenë marrë pjesë në të paktën tre projekte apo punëtori që përfshijnë ndonjërën prej sferave në vijim: ambient i pastër dhe i shëndetshme, siguri, jo dhunë, zgjidhje e konflikteve dhe tematika të ngjashme.

Vendosja e këtyre kritereve në fakt limiton pjesëmarrjen e gjerë të shkollave në garën për “Shkollë më të pastër dhe më të sigurt”, ashtu sikurse edhe fakti se një pjesë e madhe e institucioneve arsimore nuk plotësojnë as kushtet minimale të pastërtisë dhe sigurisë. Nga ana tjetër kërkesat janë të larta. Të ndara në tri grupe, kriteret që duhet të plotësohen, kanë të bëjnë me: mirëmbajtjen e godinës dhe hapësirës së shëndetshme brenda në shkollë (pra që shkollat të posedojnë standarde ekologjie të nyejve sanitare higjienike dhe teknike) të kenë oborr të rregulluar (funksional dhe sipas nevojave për ruajtjen e mjedisit jetësor) si dhe te ofrojë siguri për qëndrimin dhe punën në shkollë (organizim të sigurisë fizike, preventivë dhe mbrojtje nga fatkeqësi natyrore, si dhe siguri të laboratorëve, kabineteve gjatë realizimit të punës praktike).

Në bazë të fituesve të viteve të kaluara bie në sy fakti se asnjë shkollë me mësim në gjuhën shqipe nuk e ka fituar konkursin. Ato, mungojë si në kategori e shkollave fillore ashtu edhe të mesme, ku pa përjashtim fituesit janë shkolla në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase. Kështu, vitin që shkoi në tre vendet e para të shkollave më të pastra dhe të sigurta fillore u zgjodhën “Toshe V. Pepeto” e Kavadarit, “Vasil Glavinov” e Velesit dhe “Rajko Zhinzifov” e fshatit Orizare e poshtme (Veles). Ndërkaq, në tre vendet e para të shkollave të mesme sipas radhë si zgjodhën: Shkolla e mesme e elektroteknikës “Mihajlo Pupun” në Shkup, Shkolla e Mesme e Turizmit “Vllado Tasevski” në Shkup dhe Shkolla e Mesme Profesionale “Aco Ruskovski” në Berovë.

Për nga përbërja etnike e nxënësve në shkollë, respektivisht gjuha në të cilën zhvillohet mësimi, po kjo fotografi ishte edhe në vitin 2015. Fitues të tri vendeve të para në mesin e shkollave fillore ishin “Vllado Kantarxhiev” nga Gjevgjelia, “Klimenti i Ohrit” nga fshati Dracevë i Shkupit dhe “Klimenti i Ohrit” nga Makedonski brodi. Në kategorinë e shkollave të mesme si më të pastra dhe më të sigurta ishin zgjedhur Shkolla e Mesme e Turizmit “Vllado Tasevski” në Shkup dhe Gjimnazi “Nikolla Karev” e Shkupit. Për këtë kategori kishin konkurruar vetëm gjashtë shkolla, ndërsa në kategorinë e shkollave fillore 18. Në përgjithësi numri i shkollave që konkurrojnë është i vogël, ndërsa është inegzistentë pjesëmarrja e shkollave që gravitojë në vendbanime shqiptarë pra ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Për fituesit e vendeve të para, zakonisht ndahen tabela elektronike, ndërsa për ato ë vendeve të dyta dhe të treta sigurimi i shkollave. Zgjedhja e “Shkollës më të pastër dhe më të sigurt” është projekt i përbashkët i MASH-it dhe Zyrës së OSBE-së në Shkup. Afati i konkurrimit është më se voni deri në datën 30 mars, kurse ndarja e mikeve do të jetë në muajin maj. Përzgjedhja e shkollave do të bëhet nga një Komisioni i veçantë të cilin do ta formojë MASH-i dhe i cili do të shkojë për të verifikuar kushtet dhe standardet e shkollave në bazë të aplikimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat