Tentime për rikualifikimin e vrasjes së Almirit

Maqedonia

Tentime për rikualifikimin e vrasjes së Almirit

Më: 20 janar 2018 Në ora: 17:52
Asmir Alispahiç

Rikualifikimi eventual i lëndës së rastit të Almirit, nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekje”, sipas avokatit të familjes Aliu, Asmir Alispahiç, është i papranueshëm dhe se ngre dyshime për ekzistimin e standardeve të dyfishta në klasifikimin e lëndëve në baza etnike. Sipas tij, rikualifikimi i mundshëm i lëndës nga Prokuroria do të nxiste reagime të majme edhe në opinionin e gjerë.

Unë si avokat i familjes Aliu, apeloj që kësaj lënde të mos i jepet konotacion politik apo etnik dhe kjo punë t’i lihet gjyqit që ta zgjidh çështjen. Gjithashtu, publikisht i bëj apel edhe prokurorisë së Kumanovës që të mendojë edhe njëherë rreth rikualifikimit eventual të lëndës sepse me të vërtetë atëherë çdo qytetarë do të kuptojnë se ekzistojnë standarde të dyfishta në klasifikimin e lëndëve- deklaroi Asmir Alispahiç, avokat i familjes Aliu.

Alispahiç kërkon që akuza të mbetet e njëjtë dhe që lënda të mbesë në duart e gjykatës pa ndërhyrjen dytësore të Prokurorisë së Lartë dhe asaj Republikane.

Për fat të keq nuk mund që të mos e konstatoj këtë, dikush të më kuptojë gabimisht, por unë nuk do të doja që kësaj lënde t’i jepej konotacion etnik. Nëse është e vërtetë ajo që ka ndodhur në Prokurorinë e Lartë dhe në atë Republikane , ku Prokurorët Publik kanë qenë të ndarë në baza entike, atëherë kjo me të vërtetë është një problem serioz, sepse vepra penale nuk njeh përkatësi entike, por vepra penale njeh vetëm dëshmitë materiale ekzistuese-nënvizoi ai.

Reagimi i avokatit të familjes Aliu vjen pas informatave që publiko dje televizioni Alsat për rikualifikimin e mundshëm të lëndës së Almirit nga “vrasje” në “aksident trafiku me pasojë vdekjen”. Një hap i tillë i mundshëm sipas burimeve tona vjen pas përplasjeve të ashpra mes prokurorëve si në Prokurorinë e Lartë ashtu edhe në Prokurorinë Republikane, ku është diskutuar për këtë rast. Prokurorët në të dy këto institucione të organit të akuzës janë ndarë në baza etnike, duke shprehur konfrontimet e tyre të ashpra, njëra palë – ajo shqiptare, që për rastin të mbetet kualifikimi si vepër penale “vrasje”, ndërsa pala tjetër e prokurorëve maqedonas që kërkon rikualifikimin e rastit si “aksident me pasojë vdekjen”. Por, në situatën e mospajtimeve të thella, prokurorët shqiptarë sipas burimeve tona, janë mbivotuar nga prokurorët maqedonas. Nga 10 prokurorë, 4 kanë votuar “kundër” ndërsa 6 të tjerë, përfshi edhe kryeprokurorin, kanë insistuar që në seancën e radhës vepra të rikualifikohet në formën e prerë dhe në gjykim të shkoj si “aksident me pasojë vdekjen e katër vjeçarit Almir Aliu” më 25 qershor të vitit 2016 nga Boban Iliq. Mospajtime dhe shtyrje të seancave ka pasur edhe para vitit të ri, ndërsa marrja e vendimit herën e fundit ishte shtyrë deri në zgjedhjet e Prokurorit të ri republikan Lubomir Jovevski, për t’i lënë hapësirë edhe atij në shqyrtimin e rastit. Por, në takimin me prokurorin e ri, siç bëhet e ditur për Alsat, edhe Jovevski ka mbajtur anën e grupit që kërkon rikualifikimin e rastit. Prokurorët shqiptarë, siç bëhet e ditur, kanë prezantuar kundërdëshmitë e tyre përfshi edhe videon nga ku shihet qartë se si Boban Iliq ka shtypur për vdekje me veturën e tij 4-vjeçarin Almir Aliu. Ngjarja tragjike pati ndodhur pas një zënke banale para urgjencës së qytetit mes familjarëve të viktimës dhe autorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat