Reagime të ashpra për TVSH-në për personat fizik

Maqedonia

Reagime të ashpra për TVSH-në për personat fizik

Më: 22 janar 2018 Në ora: 16:45

Obligimi që personat fizik të regjistrohen si obligues të TVSH-së ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion.

Kjo këto ditë është tema më e nxehtë nëpër rrjetet sociale ku kritikohet synimi i Qeverisë që t’u paguhet TVSH edhe personave fizik që në vitin 2017 kanë realizuar të ardhura më të larta se 1 milion denarë.

Sipas profesorit Bexheti, është fakt se obligimi ligjor për pagesën e TVSH-së nga personat fizik ekziston, por është e domosdoshme të sqarohet se kush është i obliguar të regjistrohet, por edhe të mendohet për rritjen e pragut prej 1 milionë denarë.

Para tre ditëve, në një deklaratë për Alsat M, këshilltari i Ministrisë së Financave, Branimir Jovanoviq porositi se edhe personat fizik, pa asnjë dilemë duhet të paguajnë TVSH njëjtë si edhe kompanitë.

Ai tha se bëhet fjalë për obligim ligjor që daton tashmë 18 vite, porse i njëjti deri më tani nuk është zbatuar. Nga LSDM-ja dje njoftuan se Qeveria po e shqyrton mundësinë e rritjes së pragut prej 1 milion denarë, për t’u bërë obligues i TVSH-së. Megjithatë, në pyetjen tonë nëse ekziston qëllimi i këtillë, Qeveria sot nuk dha përgjigje konkrete.

Qeveria e RM-së

“Qeveria e RM-së i merr parasysh të gjitha mendimet e ekspertëve dhe opinionit më të gjerë. Sidomos, për çështje ku ka qëndrime të ndryshme. Qeveria bën analiza në bazë të qëndrimeve të palëve të përfshira dhe gjatë vendimmarrjes çdoherë niset nga interesi i qytetarëve të RM-së”.

Nga Drejtoria e të Hyrave Publike tashmë katër ditë nuk mund të marrim përgjigje se sa persona fizik janë regjistruar si obligues të TVSH-së duke përfshirë afatin ligjor i cili skadoi më 15 janar dhe nëse do të ketë dënime për ata që nuk e kanë bërë këtë? Si obligues të TVSH-së, duhet të regjistrohen personat që fitojnë si ekspertë, drejtorët falimentues, personat që japin hapësira me qira, personat që fitojnë me kontrata autoriale, kontrata në vepër, persona anëtar nëpër bordet mbikëqyrëse dhe qytetarë që ushtrojnë veprimtari bujqësore. Edhe këta, sikurse kompanitë do të gëzonin të drejtën e kthimit të TVSH-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat