Maqedoni, ja sa është numri i të refuzuarve për shtetësi

Maqedonia

Maqedoni, ja sa është numri i të refuzuarve për shtetësi

Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 22:38
Ilustrim

Me dokumente në duar, Bekim Murati pothuajse çdo ditë, ia mësyn derës së Sektorit për Pëunë të Brendshme në Kumanovë.

Ndonëse ka lindur në Maqedoni, 46 vjeçari thotë se ende nuk mund ta marrë nënshtetësinë. Bekimi është shkolluar këtu dhe ka kryer shërbimin ushtarak, por thotë se ka hasur në vështirësi të shumta në përgatitjen e dokumenteve për t’u bërë shtetas i Maqedonisë. E gjithë familja e tij posedojnë nënshtetësinë, por atij një gjë e tillë i është mohuar vazhdimisht.

“Po nuk e di, kjo nëpunësja më thotë shkoni tek Televizioni 21, atje do ta kryejnë punën. E unë i thash, oj zonjë ju duhet ta kryeni punën, jo ata, por nuk më marrin parasysh. Pas shumë tentativave, tani e kam hequr dorë nga kjo punë. Nuk kam më shpresë në këtë shtet. do të ishte mirë të na kryej dikush punën se vetëm fjalë na japin. Neve që na takon, se atyre që s’ju takon nënshtetësia s’ka lidhje. Me pas mundësi e kisha braktisur këtë vend, më mirë kisha shkuar në Afganistan se sa të jetoj këtu”, tha Bekim Murati, qytetar.

Hallin e Bekimit e kanë edhe mijëra qytetarë të tjerë, të cilët prej dekadash nuk kanë arritur të marrin nënshtetësinë. Sidomos banorët të cilët kanë lindur para vitit 1992, kur ky territor ishte nën Federatën Jugosllave. Nga MPB vlerësojnë se ka procedura të tepruara për marrjen e nënshtetësisë. Zëvendësministri Agim Nuhiu thotë se ndryshimet e ligjit të nënshtetësisë të bëra në vitin 2011, nuk janë të mjaftueshme.

“Pas pavarësisë së Maqedonisë mbi 100 mijë qytetarë kanë marrë nënshtetësinë. Rreth 30 mijë qytetarë kanë hequr dorë nga shtetësia dhe diku rreth 8 mijë qytetarëve iu janë refuzuar kërkesat për marrjen e shtetësisë së Republikës së Maqedonisë. 

Vlerësimi im është se keqpërdorimi që është bërë në të ashtuquajturën E drejtë diskrecionale për të dhënë vlerësimin për çështjen e sigurisë së qytetarit, i cili kërkon marrjen e nënshtetësisë së Maqedonisë, ka bërë që numri më i madh i kërkesave për nënshtetësi të refuzohen”, u shpreh Agim Nuhiu, Zëvendësministër i punëve të brendshme.

Nga Sektori për punë të brendshme në Kumanovë, për rastin e Bekim Muratit thonë se kërkesa për marrjen e nënshtetësisë i është refuzuar nga instancat më të larta të MPB-së në Shkup. Arsyeja e refuzimit të kërkesës sipas tyre, është mos-paraqitja e rregullt e tij për marrjen e lejes për vendqëndrim të përkohshëm si banor i huaj në Maqedoni. 

Ndonëse Bekimi i plotëson kriteret tjera, SPB-ja e Kumanovës konsideron se leja e vendqëndrimit duhet të mos ndërpritet për 6 vjet. Qeveria ka paralajmëruar ndryshime të reja të ligjit për nënshtetësi, për siç janë shprehur, lehtësimin e procedurave të fitimit të statusit “shtetas” i Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat