Zaev: Deri në fund të majit duam të zgjidhet mosmarrëveshja rreth emrit

Maqedonia

Zaev: Deri në fund të majit duam të zgjidhet mosmarrëveshja rreth emrit

Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 22:47
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në prag të vizitës së tij në Republikën e Turqisë, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli për qëllimin e vizitës, marrëdhëniet me këtë vend, bashkëpunimin ekonomik, situatën në rajon, për çështjen e mosmarrëveshjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe aspekte të tjera shoqërore me rëndësi politike.

Kryeministri Zaev thotë se vizita në Turqi është diçka e rregullt në marrëdhëniet me miqtë, duke e quajtur Turqinë si një nga miqtë më të mëdhenj të Maqedonisë. Ai përmendi edhe marrëveshjen e nënshkruar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

“Turqia është një nga miqtë tanë më të mëdhenj. Rrallë vend mund të mburret se ka nënshkruar më shumë se 100 marrëveshje në nivel dypalësh. Gjatë kësaj periudhe të pavarësisë së Maqedonisë, me Turqinë kemi nënshkruar më shumë se 100 marrëveshje në të gjitha fushat e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Më vjen mirë që marrëveshjet zgjerohen sipas nevojave të komunitetit të biznesit. Ne i ndjekim, marrëveshjet rrjedhin pikërisht nga komuniteti i biznesit. Me këtë marrëveshje zgjerohet fushëveprimi i bashkëpunimit ekonomik. Shpresa jonë është se vetëm do t’i forcojë aktivitetet e përbashkëta ekonomike, kryesisht aktivitetet investuese të kompanive turke të cilat gjithnjë e më shumë vijnë në Maqedoni duke ndërtuar një miqësi që është një nga thelbi i vizitës në Turqi dhe e cila vjen me ftesë të kryeministrit të Turqisë, ku do të mund të diskutojmë për të gjitha aspektet e përmirësimit të bashkëpunimit të shkëlqyer që e kemi me Turqinë. Natyrisht, si çdo qeveri, ashtu edhe ajo turke, ashtu edhe e jona, mbi të gjitha është e angazhuar në ekonominë dhe në mirëqenien e qytetarëve”, deklaron Zaev.

Zaev beson se me përmirësimin e bashkëpunimit përfitim do të kenë qytetarët e Maqedonisë dhe të Turqisë.

Siç zbulon ai, në agjendën e vizitës së tij në Turqi është konfirmuar takimi me kryeministrin Binali Y?ld?r?m, me kryeparlamentarin ?smail Kahraman, me përfaqësues të odave ekonomike, kompanisë ajrore TAV, dhe natyrisht, është paraparë takim me presidentin e shtetit Recep Tayyip Erdo?an.

Kryeministri Zaev në intervistën për AA i referohet edhe marrrëveshjes së nënshkruar së fundmi midis Maqedonisë dhe Turqisë për bashkëpunim ushtarak financiar midis ministrive të mbrojtjes të të dy vendeve, e cila parashikon një mbështetje në vlerë prej 1,5 milionë dollarëve nga ana e Turqisë për Maqedoninë.

Siç thekson Zaev, Turqia është mbështetëse e fuqishme në përforcimin e kapacitetit të mbrojtjes së Maqedonisë, edhe atë që nga fillimi i viteve të 90-ta.

“Më shumë bëhet fjalë për kapacitetet që resurset ushtarake turke mund t’i ndajnë me Maqedoninë, edhe atë nga fusha e mbrojtjes dhe nga fusha e sigurisë përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme. Bëhet fjalë për shfrytëzimin e mundësive që Turqia ofron për ngritjen e kapaciteteve të njësive speciale në Maqedoni dhe në përgjithësi pajisjen e njësive speciale. Shumë shpesh me forcat e Turqisë marrim pjesë në misionet në Afganistan, në Kabul, partneriteti është aq serioz, besimi është aq i madh, saqë forcimi i përbashkët i kapaciteteve do të thotë kapacitete të forcuara bashkërisht. Turqia është anëtare e NATO-s, ka kapacitete serioze të mëdha nga të cilat Maqedonia mund të mësojë shumë. Ne jemi mirënjohës. Turqia është një nga donatorët më të mëdhenj të pajisjeve ushtarake në Maqedoni, prodhim i drejtpërdrejt turk me kompanitë turke apo të ngjashme”, thekson Zaev, duke shprehur mirënjohje ndaj Turqisë, sepse, siç thotë ai, ajo është vetëm një konfirmim i miqësisë së madhe që Turqia e ushqen drejt Maqedonisë.

– “Ne jemi krah për krah me Turqinë në luftën kundër terrorizmit” –

Kryeministri Zaev, në shënimin e Ditës së Arsimit të Gjuhës Turke në Maqedoni më 21 dhjetor, tha se Maqedonia mbështet Turqinë në luftën kundër organizatës terroriste FETO, ndërsa në intervistë thekson se Maqedonia është krah për krah me Turqinë në luftën kundër terrorizmit.

“E dini që, së pari, në nivel global jemi krah për krah me Turqinë për luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit, radikalizmit kudo. Ne, ashtu si e gjithë bota, e dënuam mënyrën e dhunshme të përpjekjes që ndodhi në vitin 2016 për të marrë institucionet. Ajo nuk është e pranueshme askund në botë, as në një vend demokratik si Republika e Turqisë. Për fat të keq, ne e pamë atë edhe tek ne më 27 prill, kur përmes një mënyre të dhundhsme u synua të merret kontrolli i parlamentit. Këtu edhe më tepër ndajm solidaritetin me Turqinë. Institucionet demokratike dhe qytetarët vendosin se kush do t’i udhëheqë ose jo. Mënyra e marrjes me dhunë është e dënueshme, unë e dënova, i kam dhënë mbështetjen tonë Turqisë në luftën kundër çdo lloji të terrorizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit, për shkak se në shekullin 21 me të vërtetë duhet të ecim përpara dhe ngjarjet e këtilla meritojnë dënim”, thotë Zaev.

– “Turqia është një mbështetëse e madhe e Maqedonisë në integrimin në BE dhe NATO” –

Integrimet në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO janë qëllime strategjike të Maqedonisë, ndërsa Turqia si partner strategjik i Maqedonisë është mbështetësi e saj në këto procese.

Duke kujtuar këtë fakt, kryeministri Zaev thotë se Turqia jo vetëm që është mbështetës, por njëkohësisht është një promotor i Maqedonisë në këto procese.

“Turqia nuk është vetëm një mbështetëse, ajo është promotori ynë, është partneri ynë që kujdeset për perspektivat tona, kryesisht në NATO ajo është shumë e theksuar. Turqia kudo me fusnotë i shënon të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Maqedoninë, duke e shprehur atë si Republika e Maqedonisë. Kjo me të vërtetë është një rrethanë shumë e gëzueshme për ne. Ne jemi shumë mirënjohës që kemi një partner, mik, që e mbështet integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Turqia vazhdon edhe më tej”, thotë Zaev.

Ai thekson se çështja e mosmarrëveshjes me emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë është një problem thelbësor, për shkak se Maqedonia kërkon mbështetje nga të gjitha vendet që janë anëtare të institucioneve ndërkombëtare, kryesisht të Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe BE-së.

“Turqia është edhe anëtare e NATO-s dhe në procesin e NATO-s sigurisht që është e mirëpritur ajo mbështetje, por edhe vend që është këtu në gadishullin e Ballkanit. Kjo miqësi me Turqinë është e ndërtuar për shumë vite dhe ne duhet ta avancojmë. Unë besoj se do ta shfrytëzojmë këtë vizitë për të kërkuar mbështetje në proceset që janë aq të rëndësishme për Maqedoninë, NATO-n dhe BE-në, pikërisht nëpërmjet një prej miqve tanë të mëdhenj, si Republika e Turqisë”, shprehet Zaev.

Poashtu, kryeministri maqedonas thotë se absolutisht nuk ka asnjë rezervë se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë në mosmarrëveshjen e emrit, për të cilën thotë se është thelbësore.

“Më shumë varet mes nesh dhe Greqisë, nën udhëheqjen e OKB-së përmes Matthew Nimetz. Unë jam i bindur se ekziston zgjidhje nëse me të vërtetë kemi mirëkuptim reciprok mes dy palëve të përfshira në negociata. Mirëpo, miqtë janë gjithmonë të mirëpritur të na inkurajojnë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për anën tonë e cila sigurisht që ka nevojë për inkurajim. Jam i bindur se edhe një herë mbështetja, miqësia dhe inkurajimi do të jetë vetëm një nxitje shtesë për të gjetur një zgjidhje të tillë”, thekson Zaev.

– “Të gjithë në Maqedoni duan të zgjidhet mosmarrëveshja rreth emrit” –

Sipas tij, të gjithë në Maqedoni duan të zgjidhet mosmarrëveshja shumëvjeçare rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, ndërsa poashtu ai shpreh besim, por edhe nevojë për të arritur një konsensus kombëtar për këtë çështje.

“Jam i bindur se të gjithë në shtet duan zgjidhje. Pyetja është nëse ajo zgjidhje do të ruajë dinjitetin tonë dhe do të ruajë identitetin tonë, këtu është thelbi dhe besoj se është e mundur. Konsensusi është edhe më i nevojshëm kur e dimë se është një çëshje e interesit kombëtar dhe është radha në zgjidhjen e saj të marrin pjesë të gjithë dhe të gjithë ta ndajmë përgjegjësinë, por edhe përfitimet e zgjidhjes së këtij problemi”, thotë Zaev.

Siç thotë ai, është e mundur të krijohet një konsensus kombëtar nëse në Maqedoni, mes njëri-tjetrit informohen aktorët politikë dhe nëse së bashku i ndërtojnë strategjitë, të cilat sipas fjalëve të tij, qeveria edhe i bën nëpërmjet përfaqësuesve të saj me presidentin e shtetit, opozitën, si dhe me parlamentin.

“Qëllimi është si përparojmë drejt njëri-tjetrit për të ndërtuar qëndrimet dhe pozicionet, por në funksion të zgjidhjes, jo në funksion të bllokimit të saj. Unë jam i bindur se zgjidhja kur të gjendet, dhe është e mundur për t’u gjetur, të qëndrojmë të gjithë pas saj është shumë e rëndësishme për qytetarët, për Maqedoninë, por është e rëndësishme edhe për anën greke, të dinë se ajo do të zgjidhjet një herë e përgjithmonë, do të jetë një zgjidhje shekullore, nuk do të jetë një zgjidhje e përkohshme”, thotë Zaev.

Ai thekson se ndërtimi i konsensusit kombëtar nëpërmjet parlamentit do të paraqet konfirmim për Greqinë dhe institucionet greke se prapa zgjidhjes qëndrojnë të gjithë në Maqedoni.

“Ndërtimi i konsensusit kombëtar përmes parlamentit do të paraqet komfirmim për Greqinë dhe institucionet greke se prapa zgjidhjes qëndrojnë të gjithë në Maqedoni, ndërsa referendumi mund të jetë vetëm një kapak, përfundimisht duke mbuluar dhe konfirmuar se qytetarët e mbështesin këtë zgjidhje. Besoj se për partnerët tanë nga ana greke kjo do të ishte garancia më serioze që mund ta marrin se kjo zgjidhje është përfundimtare, e konfirmuar në një referendim në mënyrë që kurrë të mos e hapin si problem gjeneratat e ardhshme”, thekson Zaev.

– “Ne dëshirojmë që deri në fund të majit ta zgjidhim kontestin e emrit” –

Lidhur me datën e mundshme për zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, kryeministri Zaev shpreh optimizëm se ajo mund të arrihet deri në fund të muajit maj të këtij viti.

“Të gjithë dëshirojmë që deri në fund të muajit maj ta zgjidhim atë, sepse në qershor do të ketë vendime nëse Maqedonia do të marrë datë për hapjen e negociatave ose jo. Në korrik do të mbahet Samiti i NATO-s, ku ne presim të riafirmohet ftesë automatike. Do të ishte mirë të zgjidhet deri atëherë, por nuk është problem nëse zgjidhet në gusht, shtator apo tetor, sepse ne kemi ftesë automatike nga NATO, e ajo do të aktivizohet menjëherë në qoftë se zgjidhet ky problem, por në të nuk është pikërisht e kushtëzuar me marrjen e një date për negociatat që nuk do të jenë të sigurta në gusht, por mund të jetë 1 janari i vitit 2019, kështu që ne nuk jemi aq të robëruar nga koha. Është mirë të rregullohet më herët. Do të doja ta zgjidhnim deri në fund të marsit. Pse? NATO ka një takim përgatitor për Samitin që do të mbahet në korrik. Takimi përgatitor është në prill. Unë besoj se sa më shumë ta vonojmë, aq më pak do të jetë në interes të Maqedonisë dhe Greqisë. Sa më parë të zgjidhet, aq më shumë do t’i largojmë mundësitë për lëkundje që paraqiten me kalimin e kohës, kështu që do të ishte mirë ta zgjidhnim muaj më parë, por sigurisht më i rëndësishmëm është prioeriteti i parë, të gjendet një zgjidhje”, thotë Zaev.

Përsa i përket Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Republikën e Maqedonisë, kryeministri Zaev thotë se kjo nuk është çështje që mund të prishë marrëdhëniet me fqinjët, por kjo çështje mund të përmirësojë marrëdhëniet.

“Ne jemi vend multietnik. E shohim çështjen e përdorimit të gjuhëve si një e drejtë që nuk është mundësuar deri më tani, ndërsa kushtetuta e jep atë. Amendamenti 5 i kushtetutës qartë jep kornizën deri ku është e mundur të shkohet dhe ky ligj shkon atje. Pra, zgjidhja ligjore është kushtetuese. Bëhet fjalë për avancim të gjuhëve të komuniteteve pakicë, natyrisht së pari të atij shqiptar, por edhe atij turk, boshnjak, serb, rom, vllah… Ka nene të plota që përcaktojnë komunitetet më të vogla etnike, kështu që ligjin për gjuhët unë e shoh si një të drejtë që nuk është mundësuar deri më tani, e që duhet ta mundësojmë atë. Praktika do të tregojë se asgjë nuk është cenuar. Praktika do të tregojë se vetë ligji avancon edhe përdorimin e gjuhës maqedonase dhe e rregullon atë ashtu siç është konceptuar në përputhje me kushtetutën. Kjo është një çështje në të cilën ne duhet të ndërtojmë bashkëpunim dhe kompaktësi në vendin tonë, e të mos jetë çështje që na ndan”, thekson kryeministri Zaev.

– “Për një ligj prej 4.000 fjalësh janë paraqitur 35.000 amendamente” –

Kryeministri Zaev thotë se ata e kanë ftuar opozitën në Parlament për të marrë pjesë në këtë çështje, por, siç thotë ai, për fat të keq ata kanë zgjedhur të jenë jashtë vetë procesit.

“Presidenti i Republikës vendosi të mos e nënshkruajë, me disa vërejtje të caktuara. Në përputhje me kushtetutën dhe rregulloret, ai do të kthehet patjetër në rendin e ditës, ku VMRO-DPMNE do të ketë sërish mundësi të marrë pjesë në debat. Nuk është e drejtë të paraqiten 35.000 amandemente pë një ligj që ka 4.000 fjalë, gjë që në vetvete tregon se cili është qëllimi. Por, për mua nuk ka asgjë që nuk mund të zgjidhet. Unë besoj se nëpërmjet një dialogu, pikërisht në Parlament, midis qeverisë dhe opozitës do të gjejmë një zgjidhje për këtë bllokim të mundshëm të zgjidhjes ligjore. Duhet ta lëmë ligjin të kalojë. Do të shohin të gjithë se nuk është dhimbje për vdekje, por diçka që vetëm do të krijojë kohezion të brendshëm në Republikën e Maqedonisë”, vlerëson Zaev.

Ai beson se qytetarët e Maqedonisë nuk duhet të tremben nga ky ligj, nga cilido aspekt i dozuar nga nacionalizmat se ligji do të shkaktojë plagë në vend, por në të kundërtën, thotë Zaev, ligji vetëm mund të sjellë përmirësim të situatës.

– “Ballkani nuk është më fuçi baruti” –

Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Zaev thotë se ky bashkëpunim është vetëm një tregues se Ballkani është i orientuar drejt së ardhmes.

“E gjithë kjo që po ndodh në 6-8 muajt e fundit, definitivisht konfirmon se Ballkani nuk është më një fuçi baruti. Ballkani po ndërton miqësi. Ballkani është përqendruar në integrimin në BE dhe NATO, me përjashtime të caktuara për NATO-n, por sigurisht, Ballkani është i orientuar drejt ndërtimit të bashkëpunimit, miqësisë, afrimit me njëri-tjetrin, avancimit të bashkëpunimit. Me të gjitha këto vende fqinje kemi bërë bashkëpunim, sigurisht, edhe me Greqinë po avancojmë bashkëpunimin. Masat për besim mes dy vendeve po përmirësohen dhe zbatimi i këtyre masave po rritet gjithnjë e më shumë. Këtë nuk e kemi bërë vetëm me vendet fqinje, por me të gjitha vendet e rajonit, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Slloveninë, ndërsa pason vizita në Turqi, mbase edhe Kroacia e i gjithë rajoni, në mënyrë që t’i fiksojmë interesat e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të dërgojmë një mesazh që Ballkani meriton të jetë pjesë e Evropës, Ballkani meriton të jetë krah për krah me vendet moderne dhe Ballkani mund të japë shumë për Evropën dhe botën globale”, shprehet Zaev.

Gjatë bisedës, Zaev poashtu njoftoi se Marrëveshja për Udhëtim me Letërnjoftim të qytetarëve të Maqedonisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës tashmë është miratuar nga qeveria, dhe se pason edhe ratifikimi në parlament. Ai shprehu besimin se ai do të hyjë në fuqi në gjysmën e parë të këtij viti.

Gjithashtu, Zaev foli edhe në lidhje me idenë për krijimin e linjës ajrore Shkup-Podgoricë-Sarajevë, duke informuar se ajo mund të shtrihet deri në Stamboll.

“Për linjën ajrore Shkup-Podgoricë-Sarajevë, ne kemi hapur edhe mundësinë që destinacioni fillestar ose përfundimtar të jetë Stambolli, për të pasur qëndrueshmëri të kësaj pune. Është e rëndësishme për ne ta bëjmë këtë bashkim, sepse në qoftë se kemi linjë të tillë ajrore, patjetër do të krijohet një potencial i madh i ri për bashkëpunim në mes të qytetarëve të këtyre tre vendeve”, thotë kryeministri Zaev.

Ai beson se linja e tillë do të duhej të funksiononte deri në sezonin turistik veror, gjë që, sipas tij, do të ishte përfitim i madh për ekonominë, turizmin, por edhe për të gjithë qytetarët e rajonit.

– “Bashkëpunimi kulturor me Turqinë është i rëndësishëm” –

Gjatë bisedës, kryeministri Zaev, përveç bashkëpunimit ekonomik foli edhe për bashkëpunimin kulturor midis Maqedonisë dhe Turqisë, duke informuar mbi çështjen e qendrave kulturore të të dy vendeve e cila duhet të zgjidhet.

“Vendet mike nuk kanë paragjykime për asnjë çështje. Sigurisht, do ta hapim edhe këtë çështje nëse kemi njerëz dhe institucione të përshtatshme. Ende nuk e kemi zgjidhur tërësisht çështjen e kapaciteteve, konkretisht objektet për qendrat kulturore në të dy vendet. Këtu kemi caktuar Kurshumli An. Kemi atje një objekt të papërshtatshëm të caktuar dhe këtë mund ta zgjidhin vetëm dy qeveritë, dhe qeveritë janë plotësisht të orientuara kah miqësia. Unë besoj se mund të gjendet zgjidhje në mënyrë plotësuese. Problemi këtu është për shkak të themeleve konzervatore dhe mënyrës spikaste të projektimit të pjesëve të qelqit që duhet të jenë autentike për qendrën kulturore të Turqisë këtu në Shkup, kurse pjesa jonë është hapësira e papërshtatshme për të cilën ne kemi nevojë shtesë, por kjo është një çështje e institucioneve. Besoj se do të gjendet zgjidhje e përshtatshme, sepse nevoja për hapjen e qendrave kulturore për bashkëpunim midis dy vendeve tona ka thelbin dhe nevojën e saj. Është hapur nga qeveria e mëparshme dhe kjo është e mirë, sepse ajo mund vetëm të promovojë bashkëpunimin kulturor mes Maqedonisë dhe Turqisë”, thotë Zaev.

– “Turqia është miku më i madh i Maqedonisë” –

Ndër të tjera, kryeministri i Maqedonisë thekson se është e rëndësishme për të gjitha vendet, veçanërisht vendet në rajon, të ndërtohet miqësi, të krijohen kushte për bashkëpunim ekonomik, tregtar, kulturor dhe çdo lloj tjetër bashkëpunimi nga të cilët qytetarët do të përfitojnë.

“Le të vazhdojmë të ndërtojmë miqësi të këtillë, sepse miqësia definitivisht mund të jetë vetëm e dobishme dhe nuk mund të jetë humbje për askë. Unë jam i bindur se Turqia, me vizitën që do ta zhvillojmë tani në Ankara, edhe një herë do të jetë vetëm një konfirmim i miqësisë e cila ka qenë një shembull për të gjithë rajonin, jo vetëm në mes të Republikës së Maqedonisë dhe Turqisë, por ka shkëlqyer me një shprehje të mirëdashësisë së marrëdhënies miqësore të të dy vendeve, e cila mund të jetë vetëm një model që mund të pasohet nga vendet e tjera”, potencon Zaev.

Në fund, kryeministr Zaev shpreh besimin se bashkëpunimi me Turqinë mund të përmirësohet edhe në mënyra të tjera që nuk janë përdorur deri më tani, veçanërisht duke theksuar turizmin si sferë në të cilën Republika e Turqisë ka qenë shumë e suksesshme dhe ka përvojë të pasur.

“Në këtë takim, unë do të përpiqem të arrij shumë edhe në pjesën e turizmit, edhe në atë të ekonomisë, të kërkoj mbështetjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit, presidentit dhe kryetarit të parlamentit në Turqi, për ta vazhduar në mënyra precize atë ndihmë të cilën Turqia në mënyrë jo egoiste ia jep Maqedonisë për të kontribuar në aspektet ekonomike. Ekonomia është një sfidë e madhe për qytetarët tanë, ndërsa më së shumti mund të na ndihmojnë miqtë, e Turqia është miku më i madh i Maqedonisë”, thotë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat