Maqedoni, partitë politike akoma pa marrëveshje për KSHZ-në

Maqedonia

Maqedoni, partitë politike akoma pa marrëveshje për KSHZ-në

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 17:38
KSHZ

Partitë politike nuk kanë arritur akoma një konsensus politik për ndryshime të mundshme në Kodin Zgjedhor, sa i takon përbërjes së ardhme të KSHZ-së. Madje për Alsat, nga LSDM-ja konfirmuan se mes grupeve parlamentare, bisedime për këtë çështje, akoma nuk ka pasur. Përveç partive politike, iniciuese e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor mund të jetë edhe Ministria e Drejtësisë.

Nga ky dikaster konfirmuan se kanë zhvilluar disa takime me aktorët relevant, përfshirë përfaqësues të partive si dhe shoqata joqeveritare. Epilog konkret nga këto takime mund të priten në muajin mars. Nga dikasteri i Drejtësisë madje nuk përjashtuan mundësinë që palët të arrijnë marrëveshje edhe për aplikimin e një modeli totalisht të ri nga ato që kanë qenë më herët, sa i takon përbërjes së KSHZ-së.

Si një nga OJQ-të që ndjek në vazhdimësi proceset zgjedhore, Qendra për Liri Civil, rekomandon reforma rrënjësore në institucionin për zbatimin e zgjedhjeve dhe emërimin e anëtarëve jo-partiakë.

Përbërja e fundit e KSHZ-së, që si risi përfshinte edhe tre anëtarë të pavarur politik, u vendos në takimin e liderëve më 15 dhjetor të vitit 2015 kurse dy ditë më vonë, ata bashkë me gjashtë anëtarët e deleguar nga partitë politike, dhanë betimin. Obligimi i këtij institucioni si rezultat i bisedimeve në Përzhinë ishte pastrimi i listës zgjedhore dhe reformat brenda tij.

Gjatë këtij procesi që zgjati disa muaj, ky institucion disa herë është kritikuar për punë jo-transparente dhe për mos-zbatimin e plotë të procesit të pastrimit të listës zgjedhore nga votuesit e ashtuquajtur fantazmë. Tetë nga anëtarët dhanë dorëheqje në dhjetorin e vitit të kaluar, si pasojë e presionit publik për marrjen e kompensimeve shtesë, për punën e tyre në zgjedhje.

Në pozitë akoma mbetet vetëm anëtarja e Lëvizjes Besa. Teknikisht, administrata e këtij institucioni u shpreh e gatshme për zbatimin e referendumit të mundshëm për emrin, në qoftë se vendoset për një të tillë. Para marrëveshjes në Përzhino, KSHZ-ja përbëhej vetëm nga 7 anëtarë, të deleguar nga partitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat