Rinia maqedonase po ik, Krusheva me numër të përgjysmuar banorësh

Maqedonia

Rinia maqedonase po ik, Krusheva me numër të përgjysmuar banorësh

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 20:05
Krusheva

Sipas të dhënave të shkruara, Krusheva është qyteti më i vjetër në Maqedoni, i cili për herë të parë përmendet qysh në vitin 1467. Por, nëse dokumentet e vjetra thonë se është një ndër qytetet më të vjetra, të dhënat më të reja thonë se Krusheva gjithashtu është edhe një nga qytetet me popullatën më të moshuar në Maqedoni.

 Të rinjtë gjithnjë e më shumë po ikin nga vendlindja në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Duke i parë banorët e Krushevës, lehtë mund të vërehet brenga e tyre – papunësia dhe skamja, kurse fryma e Krushevës flet për të gjitha problemet që kjo qytezë i ka përjetuar gjatë shekujve.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2002, Krusheva ka numëruar 5 507 banorë, kurse më vonë për shkak të largimit të të rinjve nga vendi, ky qytet është përgjysmuar dhe tani në të jetojnë rreth 3 000 banorë.

“Tani të gjithë vijnë vetëm për një ditë ose për fundjavë dhe kaq. Nuk ka punë. Në Krushevë nuk punon asnjë kompani.”

“Siç po kalon koha,  do të jetë edhe më vështirë. Akoma kemi shpresë, por nevojitet që në Krushevë  të hapet një ose dy kompani, që njerëzit të kenë ku të punojnë.”

“Të paktën për të rinjtë të ketë diçka. Të gjithë shkuan në Manastir, Shkup. Vetëm për Shkupin po punohet. Cili kryetar komune u kujtua për këtu? Askush. Këtu të rinjtë vijnë vetëm për festat, familjet po ndahen”, u shprehën disa qytetarë.

Por, ka edhe raste kur të rinjtë vendosin të kthehen në Krushevë. Zhan Zdraveski merret me hotelieri. Ai beson se për Krushevën akoma ka shpresë dhe se turizmi do të zhvillohet sikur viteve të kaluara, degë kjo e cila në të kaluarën ishte burimi kryesor për përfitim.

“Unë kisha edhe dy lokale në Manastir, u largova prej atje dhe u ktheva në Krushevë me shpresë se Krusheva do “të mbijetojë” dhe sipas meje, Krusheva duhet të lëvizë përpara. Me këtë bukuri që e ka Krusheva, pak qytete mund të lëvdohen. Të gjithë mysafirët të cilët vijnë nga jashtë, së pari fascinohen nga bukuria e këtij vendi”, tha Zhan Zdraveski, hotelier.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, vitin e kaluar, Krushevën e kanë vizituar 16.494 turistë. Kryetari i qytetit, Tome Hristoski është i kënaqur nga numri i turistëve dhe nga ajo që qyteti ua ofron vizitorëve. Por, megjithatë pranon se kjo nuk mjafton që qytetarët të kenë jetë më të mirë.
“Aktualisht, qytetarët e Krushevës nuk jetojnë mirë. E kuptoj situatën, por ne luftojmë që gjendja të përmirësohet për të gjithë”, u shpreh Tome Hristoski, Kryetar i Krushevës.

Siç paralajmërojnë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Krushevën e pret program i pasur kulturor gjatë tërë vitit. E gjithë kjo bëhet me qëllim për të tërhequr sa më shumë turistë vendas, por edhe të huaj, me idenë që ky qytet të ringjallet sa më shumë që është e mundur./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat