Merkel inkurajon Zaevin për zgjidhjen e çështjes së emrit

Maqedonia

Merkel inkurajon Zaevin për zgjidhjen e çështjes së emrit

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 14:29
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, është takuar sot në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, është takuar sot në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel, ku temë diskutimi ka qenë, mes tjerash, edhe zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë.

“Problemi duhet të zgjidhet, presionet nuk shkojnë në dobi të procesit. Është e rëndësishme që pas një kohe të gjatë të dyja palët kanë shfaqur interes për zgjidhjen e çështjes së emrit. Edhe ju e dini se deklaratat ndonjëherë mund të pengojnë procesin dhe rëndojnë negociatat. Kompromisi është më se i nevojshëm, edhe përkundër asaj se çdo kompromis është i dhimbshëm. Megjithatë për këtë nuk duhet të flitet nëpër konferenca për shtyp, por negociatat të zhvillohen parapa dyerve të mbyllura”, deklaroi Angela Merkel, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin maqedonas Zaev, transmeton Alsat-M.

Takimi është në suaza të vizitës zyrtare të delegacionit qeveritar të udhëhequr nga Zaev në Gjermani.

Ndërkaq, po për çështjen e emrit, Merkel sot ka biseduar në telefon edhe me kryeministrin grek, Alexis Tsipras.

Siç raportojnë mediat, Tsipras dhe Merkel janë pajtuar për të zhvilluar një takim bilateral në Bruksel më 23 shkurt në margjina të një takimi joformal të liderëve evropianë.

Gjatë vizitës në Berlin, Zaev është parashikuar të takohet edhe me presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.
Takimi i parë bilateral i kryeministrit Zaev me kancelaren gjermane Merkel u mbajt në Trieste, në korrik të vitit të kaluar, në margjinat e Samitit “BE-Ballkani Perëndimor”. Merkel atëherë shprehu përkrahje për Qeverinë e re të Maqedonisë për reformat thelbësore dhe për përcaktimin e integrimit të Republikës së Maqedonisë në BE

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat