Veton Latifi: Vizita e zyrtarëve të BE-së, në interes të shtetit

Maqedonia

Veton Latifi: Vizita e zyrtarëve të BE-së, në interes të shtetit

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 21:28
Veton Latifi

Vizita e nesërme e treshes së lartë të Bashkimit Evropian, Junker, Mogerini dhe Han në Maqedoni, ka rëndësi të madhe për të ardhmen. Profesori universitar, Veton Latifi vlerëson se përfaqësuesit e lartë të BE-së do të shpalosin detaje për perspektivën e Maqedonisë.

“Para së gjithash vizita e krerëve më të lartë të Bashkimit Evropian të Politikës së Jashtme është një vizitë e përgjithshme në vendet e rajonit, me ç’rast pritet një shpalosje e planeve konkrete për Ballkanin Perëndimor, të Strategjisë së re të Bashkimit Evropian. Dhe jo vetëm kaq. Pritet që të kërkohet angazhim konkret nga autoritetet politike edhe nga Maqedonia, por edhe nga vendet tjera të rajonit që të lëvizet nga aspekti deklarativ për angazhim për bashkëpunimin rajonal të vendeve, për fqinjësi të mirë në hapa konkret dhe me plane konkrete” – deklaroi Veton Latifi, Profesor universitar.

Sipas Latifit, kjo vizitë ka për qëllim të inkurajojë vendin në realizimin e reformave të nevojshme për integrim, por me një theks të veçantë në zgjidhjen e emrit.

“Kjo vizitë nëse shikohet në aspektin struktural me një përbërje të tillë ndodh ose kur ka kriza të mëdha ose kur ofrohen momentet e zgjidhjes së problemeve më të mëdha, të mosmarrëveshjeve më afatgjate. I tëri ky aktivitet që po bëhet edhe nga BE-ja, edhe nga OKB-ja, edhe nga diplomacia amerikane por edhe nga diplomacia e vendeve më të fuqishme evropiane, të gjitha këto bëhen të sinkronizura, për të inkurajuar dy palët në këtë kontest aq të gjatë që të marrin guximin dhe që të zgjerojnë përkrahjen e tyre të brendshme politike për të arritur një zgjidhje kompromisi” – theksoi Veton Latifi, Profesor universitar.

Zyrtarët më të lartë të BE-së Junker, Han e Mogerini nesër do të takojnë presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev dhe shefin e diplomacisë Nikolla Dimitrov./Alsat-M

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat