Maqedoni, miratohen ndryshimet në Ligjin për punëtorët e falimentuar

Maqedonia

Maqedoni, miratohen ndryshimet në Ligjin për punëtorët e falimentuar

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 23:45
Ilustrim

Me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të ri për punëtorët e falimentuar do të përfshihen edhe 1.900 persona të rinj që në seancën e sotme i miratoi Qeveria, gjegjësisht ata do të kenë mundësi të fitojnë kompensim në para nga shteti deri në pensionimin e tyre.

“Me ndryshimet e miratuara lehtësohen kushtet e nevojshme të konfirmuara me ligjin aktual, të cilat kanë të bëjnë me fitimin e të drejtës së sigurimit material nëse ndërprerja e marrëdhënies së punës së punës është krijuar në momentin kur ndërmarrja me pronë dominuese e shtetit është privatizuar, me kusht që numri i vetëm amë i subjektit të mos ndryshohet nga momenti i krijimit të marrëdhënies së punës në atë ndërmarrje, deri në ndërprerjen e tij”, sqaroi në konferencën e sotme për media në Qeveri ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.

Ajo informoi se për shkak të fleksibilitetit më të madh dhe mundësisë që pjesa më e madhe e punëtorëve të falimentuar t’i përmbushin kushtet, ndryshohet edhe pjesa për moshën e nevojshme që duhet ta ketë personi i papunë (të paktën 52 vjet për gratë dhe 55 vjet për meshkujt).

“Tani ajo përmbushet jo nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit aktual, por në momentin e parashtrimit të kërkesës për realizmin e të drejtës për sigurim material”, tha Carovska.

Ligjin e ashtuquajtur për punëtorët e falimentuar, Qeveria e miratoi në shtator të vitit 2017. Në pajtim me ligjin, deri tani u janë dhënë vendime 2.732 punonjësve të falimentuar, ndërsa në pajtim me ndryshimet e miratuara sot siç informon ministrja 1.900 personave të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat