Kërkohet përgjegjësi nga Antikorrupsioni

Maqedonia

Kërkohet përgjegjësi nga Antikorrupsioni

Më: 2 mars 2018 Në ora: 09:29
Arkiv

Deputetët e LSDM-së dhe BDI-së kërkuan nga anëtarët e Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit (KSHPK) që të parashtrojnë dorëheqje të parevokueshme për shkak të keqpërdorimeve të konstatuara në raportin e revizionit, e nëse nuk e bëjnë këtë paralajmëruan se do të ngrenë procedurë parlamentare për revokimin e tyre.

"Anëtarët e KSHPK-së nuk kanë më kredibilitet profesional dhe etik që ta kryejnë këtë funksion as edhe një ditë më shumë. Nga këto shkaqe nesë ata nuk japin dorëheqje urgjente dhe të parevokueshme, Parlamenti si organ i obliguar për zgjedhjen e anëtarëve të këtij komisioni do të ngrejë procedurë për shkarkimin e tyre", deklaroi mbrëmë nënkryetarja e Parlamentit dhe deputete e LSDM-së Frosina Tashevska Remenski.

Ajo theksoi se kërkesa për dorëheqje është nga shumica qeveritare, gjegjësisht nga deputetët e LSDM-së dhe të BDI-së.

Nga anëtarët e Antikorrupsionit përgjegjësi dhe zero tolerancë pret edhe Qeveria, ndërsa Prokuroria Themelore Publike Shkup ka formuar lëndë pas zërave të përhapur për harxhimin e mjeteve buxhetore nga ana e anëtarëve të KSHPK-së.

"Në shtatë muajt e kaluar treguam se nuk ekziston tolerancë për funksionarët e emëruar të cilat kanë treguar shpenzime të papërgjegjshme të parave të qytetarëve dhe të gjithë ata te të cilët është konstatuar gjendje e tillë e morën përgjegjësinë. Qeveria vazhdimisht tregon se shpenzimi i përgjegjshëm i parave nga buxheti duhet të respektohet edhe nga të gjithë funksionarët e tjerë publikë siç ishte shembulli me Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Presim që edhe anëtarët e KSHPK-së do ta ndjekin parimin e zero tolerancës për korrupsion dhe do të tregojnë përgjegjësi duke pasur parasysh ndodhitë e fundit dhe duke pasur parasysh se kjo është esenca e punës së tyre", thonë nga Qeveria.

Nga LSDM-ja përmes një kumtese për mediat porositën se është skandaloze dhe e papranueshme që anëtarët e institucionit i cili është i obliguar që të luftojë llojet e ndryshme të korrupsionit, të sillen në mënyrë të papërgjegjshme dhe të prishin pa hesap paratë e qytetarëve, sepse ndjekja e shpenzimeve të papërgjegjshme korruptive  të parave të buxhetit është esenca e punës së tyre.

" LSDM-ja e respekton parimin e zero tolerancës drejt korrupsionit dhe për këtë, gjithë anëtarët e KSHPK-së të cilët në mënyrë të papërgjegjshme dhe i kanë shpenzuar në mënyrë joekonomike paratë e qytetarëve, duhet të bartin përgjegjësi dhe të japin dorëheqje urgjente dhe të parevokueshme", porosisin nga partia.

Revizioni i DHP-së ka verifikuar parregullsi në pjesën e mënyrës së pagesës së pagave dhe shpenzimeve për rrugë nga ana e anëtarëve të KSHPK-së, gjegjësisht pagesa e shpenzimeve për rrugë në bazë të urdhër-pagesave fiktive dhe urdhër-pagesave për rrugë dhe urdhra të cilat nuk korrespondojnë me agjendën të cilën e ka pasur Komisioni dhe anëtarët. Mediat publikuan se revizioni ka konstatuar se disa anëtarëve të KSHPK-së u janë paguar shpenzime për rrugë për ardhje në seanca, ndërsa pagesa është kryer në bazë të urdhër-pagesave fiktive për udhëtime. Pastaj, disa nga ata aspak nuk kanë ardhur në punë, por vetëm në seanca dhe janë dorëzuar nga tre urdhër-pagesa për rrugë për të njëjtën ditë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat