Shkollat shqipe në Maqedoni, të mbipopulluara - Bota Sot
Shkollat shqipe në Maqedoni, të mbipopulluara

Maqedonia

E hënë, 18 qershor 2018

Shkollat shqipe në Maqedoni, të mbipopulluara

Më: 7 mars 2018 Në ora: 18:16
Ilustrim

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni thotë se arsimtarët shqiptarë nuk janë të barabartë me kolegët e tyre maqedonas sepse një pjesë e madhe e shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni, përballen me mungesë të hapësirave, duke u detyruar që të punojnë madje edhe në tre ndërrime dhe me klasa të mbipopulluara, shkruan Rel.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, Nuhi Dardhishta thotë për Radion Evropa e Lirë se prioritet duhet të jetë ndërtimi i shumë shkollave në vendbanimet shqiptare, veçanërisht në qytetin e Shkupit dhe Tetovës, ngase sipas tij, numri i madh i nxënësve në një klasë ua vështirëson punën mësimdhënësve.

“Shkollat me mësim në gjuhën maqedone kanë hapësira të mjaftueshme, madje shumica e tyre punojnë vetëm një ndërrim sepse kanë numër të vogël të nxënësve”.

“Shkollat shqipe punojnë me dy madje kemi raste ku punohet edhe në tre ndërrime, ku mësimi në klasa mbahet me mbi 34 nxënës që është shumë vështirë të përcillet ose që ata të arrijnë të nxënë njësitë mësimore që zhvillohen. Në kushte të këtilla është shumë e pritshme se do të mungojë cilësia”, thotë Dardhishta.

Ai thekson se reformat e paralajmëruara në arsim, duke të kenë në fokus ngritjen e cilësisë së procesit edukativo-arsimor. Ai thotë se zvogëlimi i lëndëve mësimore dhe ushtrimi i detyrave praktike nuk do të sjellin asnjë dobi sepse në një pjesë të madhe të shkollave mungojnë dhe mjetet elementare për mësimdhënie.

Por, zëvendësministri i Arsimit Arbër Ademi për Radion Evropa e Lirë thotë se dikasteri që drejton në vazhdimësi ndan mjete për rinovimin dhe ndërtimin e shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Sipas tij, problemet e trashëguara me vite nuk mund të zgjidhen në një afat të shkurtër kohor.

“Ne kemi trashëguar një infrastrukturë të vjetërsuar, jofunksionale, sa i përket objekteve shkollore. Megjithatë, duhet të konstatojmë se në vazhdimësi dikasteri i arsimit ka bërë shumë punë në drejtim të përmirësimit në të gjitha hallkat arsimit, siç është ai fillor, i mesëm dhe i lartë”, thotë Ademi duke nënvizuar se nga arka e shtetit janë ndarë mjete për renovimin e më shumë shkollave në gjuhën shqipe, si dhe ndërtimin e tri shkollave nga themeli në Bllacë të Shkupit, Lazec të Prilepit dhe Bogovinjë në rrethin e Tetovës.

Ndërkaq, Shpresa Sinani mësuese në pension nga Tetova për Radion Evropa e Lirë thotë se statusi i mësimdhënësve në Maqedoni është denigruar. Ajo kujton se më të më mirët ishin ata që zgjidheshin për të ushtuar profesionin e mësuesisë, kurse tani, si rrjedhojë e pagave të ulëta, në Fakulteti e Pedagogjisë regjistrohen një pjesë e nxënësve me nota më të dobëta.

“Në fillimin e punës si mësuese gjatë vitit 1968 kushtet në shkolla ishin shumë më ë këqija se sot, por arsimi dhe procesi arsimor ishte shumë më cilësor, sepse si mësimdhënës zgjidheshin më të mirët për të ushtruar detyrën e mësuesisë. Tani nuk ka fare provim pranues në Fakultetin e Pedagogjisë, testime të jashtëzakonshme për aspektin psikofizik të atyre që do të behën mësues, andaj e kemi këtë gjendje në arsim”, thotë Sinani.

Ndryshe, që nga fillimi i këtij viti, dikasteri i arsimit ka prezantuar një varg ndryshimesh, si pjesë e reformimit të thellë të arsimit fillor, atij të mesëm në Maqedoni, siç është shkurtimi lëndëve mësimore, trajnimi i mësimdhënësve, rritja e pagave dhe të tjera reforma.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test