Ligji për gjuhët, “mollë sherri” mes partnerëve?

Maqedonia

Ligji për gjuhët, “mollë sherri” mes partnerëve?

Më: 7 mars 2018 Në ora: 20:36
Foto ilustruese

Dështimi i Kuvendit për të miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve mund të pasojë me takim të ri mes Zoran Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Një takim i tillë nuk konfirmohet e as mohohet nga subjektet politike në fjalë. Megjithatë mësohet se temë bisedimi do të jetë gjetja e konsensusit për tejkalimin e bllokadës dhe tërheqjen e amendamenteve ndaj ligjit të gjuhëve. Vetë Zaev larg kamerave hodhi poshtë zërat se ligji për gjuhët ka vendosur në krizë koalicionin Qeveritar. Ditë më parë, leximi i tretë i ligjit për përdorimin e gjuhëve dështoi për shkak të rezervave brenda deputetëve socialdemokrat për të votuar të njëjtin. Këtë e konfirmoi i pari i Kuvendit, Talat Xhaferi i cili tha se shumica parlamentare ishte e njoftuar një ditë më parë për mënyrën e veprimit tim, respektivisht votimin e ligjit pa shqyrtuar asnjë nga 35 mijë amendamentet e VMRO-DPNE-së. Sipas Xhaferit, ndryshimi i qëndrimit të LSDM-së ka ardhur si pasojë e kërcënimeve të adresuara ndaj tyre nga partia e Hristijan Mickoskit.

Brenda LSDM-së ka pasur rezerva në disa pjesë edhe pse jo të shfaqura drejtpërdrejtë, por nga informata që si kryetar Parlamenti i kam siguruar kam konstatuar se ka problem me aktin e votimit. Opozita ka kushtëzuar LSDM-në, se nëse tejkalohet Ligji i gjuhëve në formën për të cilën unë kam njoftuar, atëherë opozita do të shkëputet nga bashkëbisedimi dhe do të bojkotojë të gjithë procesin reformues – deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

Xhaferi shpjegoi edhe komunikimin që ditë më parë kishte me Kryeministrin Zoran Zaev i cili kishte kërkuar kohë nga Kuvendi deri javën tjetër, javë kjo që korrespondon me deklaratat e të parit të ligjvënësit se ligji do të votohet nga mesi i këtij muaji.

Unë jam i bindur që çfarëdo që të jetë reagimi i tyre, i njëjti nuk do të jetë jashtë procedural i një pjesë që është opozitë dhe është e pakënaqur me vendimet që merren. Unë nuk pres që opozita të më duartrokasë për atë punë. Unë e di se ata e dinë se deri ku mund dhe çka mundë të veprojnë kundrejt meje si kryetar Parlamenti – tha Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

Nga LSDM thonë shkurt se proceset reformuese nuk duhet të hasin ne bllokadë të instaluar përmes Kuvendit dhe se për të gjitha çështjet që tangojnë shoqërinë është i nevojshëm debati dhe konsensusi. Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja hedh poshtë akuzat se i janë kërcënuar shumicës parlamentare.

VMRO-DPMNE-ja kohës së fundit nuk kërcënohet aspak por punon në mënyrë konstruktive në gjithë procesin dhe bashkëpunimin e sjelljes së zgjidhjeve të mira ligjore. Por në pjesën e kur mungon procesi demokratik, respektimi i ligjit, Kushtetutës dhe Rregullores, ne i shfrytëzojmë të gjitha metodat ligjore në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren – u shpreh Liljana Kuzmanovska, Deputete e VMRO-DPMNE-së.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua më 11 janar ndërsa më 17 janar, Presidenti Gjorge Ivanov njoftoi mos dekretimin e tij nën arsyetimin se i njëjti bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe cenon karakterin unitar të shtetit. Ligji për shqipen, përvec në Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, ishte edhe njëri ndër parakushtet e subjekteve shqiptare për formimin e Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat