Ligji i gjuhëve, nuk ka dallime në mes LSDM-së dhe BDI-së

Maqedonia

Ligji i gjuhëve, nuk ka dallime në mes LSDM-së dhe BDI-së

Më: 8 mars 2018 Në ora: 16:19
ilustrim

Deputeti i BDI-së Xhevat Ademi pretendon se nuk ka mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit lidhur me ligjin për gjuhët, edhepse vet kreu i Kuvendit Xhaferi akuzoi disa deputetë të LSDM-së për mos pjesëmarrje në seancë ku duhej të miratoheshe ligji për gjuhët. Ademi thotë se seanca për votimin e tretë dështoi për shkak të mungesës deputetëve.

"Ne presim edhe Menduh Thaçin që të vij dhe bashkë me deputetin turk që i është bashkuar shumicës, t’i kemi jo 69 por 71, për inat të Ivanovit. Për BDI-në dhe shumicën parlamentare, të jem korrekt, ligji për gjuhën shqipe është i panegociueshëm. Nuk shohim as nevojën më të vogël që ne si partner të kthehemi dhe të negociojmë për diçka që jemi marr vesh që moti" – deklaroi deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.

Anëtari i kryesisë së LSDM-së, Edmond Ademi mohon zërat se socialdemokratët janë kërcënuar nga partia e Hristijan Mickoskit me distancim nga proceset reformuese në rast se nuk shqyrtohen mbi 35 mijë amendamentet ndaj Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

"Nuk ka as deputet pishman dhe as nuk ka pishman në atë drejtim që duhet ose jo të sillet ligji. Nëse kryesia dhe kryetari i ri i VMRO-së dëshiron të dëshmojë se është ndryshe nga kryesia e kaluar e VMRO-DPMNE-së dhe nëse përkrah politikën për anëtarësimin e shtetit në NATO dhe BE atëherë atë duhet ta tregojë në praktikë" – tha Edmond Ademi, anëtar i LSDM-së.

Ditë më parë, VMRO-DPMNE-ja hodhi poshtë zërat se është kërcënuar me largim nga grupet e punës për ligjet reformuese në rast se nuk shqyrtohen amendamentet e këtij subjekti për ligjin e gjuhëve. Nga partia e Mickoskit konfirmuan edhe njëherë se variant tjetër përpos shqyrtimit të amendamenteve mbetet anulimi i ligjit dhe përpilimi i tij me përfshirjen e ekspertëve.

Ndonëse subjektet heshtin, burime të Alsat M bëjnë të ditur se mbi ligjin e gjuhëve dhe amendamenteve ndaj tij, nuk përjashtohet takim i mundshëm i liderëve.

Ditë më parë, Kryeparlamentari Talat Xhaferi njoftoi se seanca për votimin e ligjit në lexim të tretë dështoi për shkak të rezervave që sipas tij kishin deputet të caktuar socialdemokrat si dhe dallimeve mes BDI-së dhe LSDM-së rreth modelit të shqyrtimit të amendamenteve.

BDI kërkon që të mos shqyrtohet asnjë amendament, ndërsa LSDM insiston që të paktën të respektohen procedurat parlamentare. Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua më 11 janar, ndërsa më 17 janar Presidenti Ivanov njoftoi mos dekretimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat